
Aktivistja shqiptaro-amerikane Evi Kokalari ka vijuar me replikat për Chris LaCivitan, këshilltarin amerikan të PD, i cili mori pjesë pasditen e së premtes në hapjen e fushatës së aleancës së Sali Berishës. Pas komenteve se ai nuk është ‘sherifi’, siç është komentuar në rrjet, Kokalari shkruan me ironi se fjalimi i LaCivitës në Tiranë ishte brilant, por që zgjati vetëm disa sekonda.
Aktivistja shqiptaro-amerikane, Evi Kokalari, dikur një prej bashkëpunëtoreve më të ngushta të Berishës, ka ironizuar fjalimin e mbajtur në mitingun e mbrëmshëm nga Christopher Lacivita, i cili zgjati vetëm 35 sekonda.
Sipas saj, fjalimi i mbajtur nga ish-drejtuesi i fushatës së Trump, tregon se ai e ka kuptuar se nuk ka fitore me Berishën dhe se tashmë po tenton vetëm të justifikojë pagesën që do marrë.
“Fjalimi i Chris LaCivites brillant, me mesazhe te forta sepse e para dhe më e rëndëisshme – ishte vëtëm 35 sekonda, dhe fakti që ndryshoi msg nga 'socialistët po persekutojnë Berishën' - ne persekutim të opozitës, i tha të gjitha. Brillant, Chris - Brillant - e paske mbledhur veten dhe e ke kuptuar më në fund çfarë po ndodh...por hajde se e kuptojmë që duhet të justifikosh dhe ti çekun e radhës”, shkruan Kokalari.
Më tej, në një status tjetër shprehet e bindur se më 12 maj, Berisha do largohet njëherë e mirë nga politika.
“Në 12 maj, Sali Berisha ti do të ikësh në shtëpi, njëherë e mirë – dhe ne të tjerët do merremi me Ramën. Ke mbaruar!”- shprehet ajo. Versus.al








