KAS ka pranuar pjesërisht ankesën e Partisë Demokratike (PD) për procesin zgjedhor të 11 majit në qarkun Kukës, duke miratuar 3 nga 5 kërkesat e paraqitura nga koalicioni PD – Aleanca për Shqipërinë Madhështore.
Në vendimin e dhënë, KAS i kërkoi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të bëjë përpjekje maksimale për të siguruar dhe vendosur në dispozicion sa më shpejt të dhënat e kërkuara, për të vijuar me shqyrtimin e ankesës.
Një nga pikat e miratuara përfshin kërkesën për regjistrin e nënshkruar nga zgjedhësit në diasporë, që konfirmon marrjen e zarfit dhe materialeve zgjedhore. KAS pranoi kërkesën për Greqinë, duke lënë hapur mundësinë për dorëzimin e të dhënave nga vende të tjera në vijim të procesit shqyrtues.
Nga ana tjetër, refuzua kërkesa për kopje të regjistrave të posaçëm për çdo qendër votimi, pasi ato nuk u konsideruan të lidhura drejtpërdrejt me pretendimet kryesore të PD-së. Po ashtu, KAS vlerësoi se procesverbalet zgjedhore janë tashmë në posedim të ankuesit, ndaj nuk kishte nevojë për rikthimin e tyre në dispozicion nga institucionet zgjedhore.
PD ka kërkuar anulimin e zgjedhjeve në Kukës dhe përsëritjen e tyre, duke pretenduar për shkelje që kanë ndikuar në rezultatin përfundimtar. Vendimi përfundimtar i KAS mbi vlefshmërinë e procesit në këtë qark pritet pas shqyrtimit të plotë të provave shtesë që mund të dorëzohen gjatë seancave në vijim. /Versus.al







