
Partia Popullore Europiane ka dorëzuar në Parlamentin Europian 26 amendamente në raportin e vitit 2025 për Shqipërinë duke theksuar mangësitë e vazhdueshme në zgjedhje, drejtësi dhe qeverisje.
Ky raport i përpiluar nën drejtimin e Andreas Schieder, nxjerr në pah dështimet serioze të qeverisë në fusha thelbësore si administrata, qeverisja dhe zgjedhjet. Sipas këtij raporti Shqipëria rrezikon të humbasë besueshmërinë e BE në rast se nuk ndërmerr reforma të thella dhe të pakthyeshme.
Eurodeputeti Andrey Kovatchev dhe grupi i PPE ka dorëzuar një paketë amendamentesh ku denoncohen mangësi serioze sistemike në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 në Shqipëri.
“Raporti nxjerr në pah përdorimin e gjerë të burimeve publike nga partia në pushtet, mungesën e kushteve të barabarta për opozitën dhe pretendime për blerje votash”, thuhet në raport. Sipas dokumentit, mungesa e ndarjes së qartë midis institucioneve shtetërore dhe strukturave partiake minon konkurrencën dhe besimin e qytetarëve.
Raporti kërkon një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse, në bashkëpunim me shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë, që siguron akses të barabartë në media, mbrojtje ndaj keqpërdorimit të burimeve administrative dhe zbatim efektiv të ligjit.
Raporti përshkruan sfidat e vazhdueshme të gjyqësorit, duke përfshirë mbingarkesën me çështje të pazgjidhura dhe përpjekjet për ndikim të padrejtë. Eurodeputetët nënvizojnë rëndësinë e zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe të pavarësisë së gjyqësorit. Korrupsioni i nivelit të lartë mbetet shqetësim kryesor, ndërsa SPAK duhet të fuqizohet për të ndërtuar një histori të qartë hetimesh dhe dënimesh.
Gjithashtu ky raport i partive të djathta evropiane kritikon qeverinë shqiptare për informalitetin e lartë ekonomik dhe mungesën e efikasitetit në administratë, të cilat pengojnë mjedisin e biznesit dhe konkurrencën. Në qendër të vëmendjes është edhe AKSHI, për mungesën e transparencës dhe kontrollit në prokurimet publike dhe infrastrukturën digjitale. Parlamentarët bëjnë thirrje për auditime të pavarura dhe mekanizma gjithëpërfshirës të kontrollit të investimeve dhe prokurimeve.
Në përfundim, përmes amendamenteve të paraqitura nga grupi PPE, eurodeputetët bëjnë thirrje për veprim të menjëhershëm nga autoritetet shqiptare: reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse, depolitizim të administratës, luftë të vendosur kundër korrupsionit dhe transparencë të plotë në prokurimet publike, duke paralajmëruar se perspektiva e Shqipërisë drejt BE-së mbetet në rrezik pa këto ndërhyrje. Versus.al

