Pas mbylljes së qendrave të votimit për balotazhet në 18 komuna të Kosovës, kanë dalë edhe projeksionet e para të rezultateve sipas sondazheve të daljes nga votuesit (exit poll).
Sipas tre exit poll-eve të publikuara nga televizionet Klan Kosova, T7 dhe Dukagjini, Adrian Gjini nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës pritet të fitojë një mandat tjetër në Gjakovë. Në raundin e balotazhit, ai u përball me Adrian Golën nga Lëvizja Vetëvendosje. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) pritet të nisë së shpejti publikimin e rezultateve preliminare.
Po sipas tre sondazheve, Përparim Rama nga Lidhja Demokratike e Kosovës duket se do të drejtojë edhe një mandat në kryeqytet, Prishtinë. Ai u përball në balotazh me Hajrulla Çekun nga Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa KQZ ende nuk ka nisur publikimin e rezultateve preliminare.
Shaqir Totaj nga Partia Demokratike e Kosovës pritet të fitojë edhe një mandat në krye të Prizrenit, duke u përballur me Artan Abrashin në raundin e balotazhit.
Ndërkohë, në Pejë, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Gazmend Muhaxhiri, parashikohet të fitojë një mandat tjetër, duke u përballur me Taulant Kelmendin nga Lëvizja Vetëvendosje.
Në raundin e parë të zgjedhjeve, qytetarët zgjodhën kryetarët në 20 komuna, sipas informacioneve të Radios Evropa e Lirë.
Komunat që zhvilluan balotazh ishin: Prishtina, Prizreni, Peja, Juniku, Dragashi, Gjakova, Kaçaniku, Fushë Kosova, Mitrovica e Jugut, Rahoveci, Suhareka, Gjilani, Vitia, Vushtrria, Obiliqi, Klina, Mamusha dhe Kllokoti.
