
Pavarësisht se KQZ ende nuk ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me numërimin në Vorë ku votimi ishte elektronik, kryeparlamentarja Elisa Spiropali ka shpallur fitoren e PS.
Gjatë një prononcimi për mediat, Spiropali tha se rezultati duhet të kishte dalë që mbrëmë. Ndërsa u shpreh e bindur për fitore të thellë të PS në këtë zonë, tha se demokratët kishin ardhur gjithmonë për të shkaktuar konflikte dhe jo për të zgjidhur hallet e banorëve.
“Shqipëria europiane nuk është më një ëndërr por realitet i prekshëm. Këtu në Vorë rezultati duhet të kishte dalë që mbrëmë, ky është qëndrimi jonë dhe i yni. Ne besuam votimin elektronik për Vorën dhe njësinë 10, për ta dhënë rezultatin në kohë reale.
Me një diferencë të thellë për shkak të punës që kemi bërë këtu, gjatë punës së madhe në terren. Është procesi teknik i përcjelljes së rezultatit, i takon KQZ të shpallë rezultatin në atë që ishte një votim elektronik por që nuk përfundoi i tillë.
Diferenca është thelluar me PS-në… Ata nuk i kanë kthyer asnjëherë sytë nga Vora, kanë ardhur dje për sherrnajë, por e morën përgjigjen”, tha Spiropali. Versus.al







