POLITIKË /

‘Kushtetuesja’ kërkon 15 mln lekë më shumë, Dogjani: S’jeni të pavarur, kërkoni para nga Kuvendi

Deputeti i PD tha se duhet që Gjykata Kushtetuese të bëjë kërkesa për ndryshime ligjore dhe jo për fonde shtesë.

Shkruar nga Versus
‘Kushtetuesja’ kërkon 15 mln lekë më shumë,
Seketari i Gjykatës Kushtetuese Eugen Papandile dhe deputeti i PD, Asllan Dogjani në komisionin e Ligjeve

Gjykata Kushtetuese raportoi sot në komisioni për Çështjet Ligjore ku adresoi edhe disa propozime lidhur me projektbuxhetin e 2025-ës për institucionin më të lartë gjyqësor.

Sekretari i institucionit, Eugen Papandile parashtroi shqetësimin e tij dhe kërkesën për staf të shtuar të specializuar gjë që parashikohet të sjellë edhe një fond shtesë për 15 mln lekë në paga dhe sigurime.

“Gjykata Kushtetuese ka nevojë për një pavarësi të plotë, jo vetëm në vendime juridike, por edhe në burime financiare, për të shmangur çdo ndikim të jashtëm nga pushtete të tjera. Duam të sjellim në vëmendje disa kërkesa që kanë të bëjnë me fondin e pagave dhe sigurimeve dhe me shpenzimet operative. Fondet e akorduara për 2025 tek shpenzimet e personelit, janë në shumën e 192 mln lekë. Referuar statistikave të 5 viteve të fundit, numri i çështjeve në gjykatën kushtetuese nga 50 në 2019, këtë vit parashikohet në 450 të tilla”, tha Papandile në fjalën e tij të prezantimit në dëgjesë.

Nga ana tjetër, deputeti i Partisë Demokratike Asllan Dogjani u shpreh se Gjykata Kushtetuese nuk është e pavarur për shkak të kërkesave për fond shtesë të bërë ndaj Kuvendit. Ai tha se duhet që Kushtetuesja të kërkojë ndryshime ligjore dhe jo para nga buxheti i parashikuar.

“A kemi sot një Gjykatë Kushtetuese të pavarur? Gjykimi im është se kemi një gjykatë nën presion politik dhe nën kërcënimin e politikës. Kohët e fundit nuk janë zbatuar vendimet e Kushtetueses. A keni një mekanizëm si veprohet kur nuk zbatohen vendimet e saj? A ka pasur kërcënime të drejtpërdrejta nga politika në lidhje me vendimmarrjet e Gjykatës Kushtetuese? Fakti që ju kërkoni para do të thotë që ju jeni të varur nga Kuvendi. A në plan Gjykata Kushtetuese të kërkojë ndryshime në Kushtetutë që të ketë një fond të pavarur?”- u shpreh ndër të tjera Dogjani. Versus.al

Poll