POLITIKË /

Kushtetuesja rrëzoi pjesërisht kërkesën e Berishës, Bardhi: SPAK dhe GJKKO të heqin arrestin shtëpiak, i panevojshëm

Shkruar nga Versus

Kushtetuesja rrëzoi pjesërisht kërkesën e Berishës,

Kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka reaguar pas vendimit që mori dje Gjykata Kushtetuese duke rrëzuar pjesërisht kërkesën e bërë nga Sali Berisha i cili pretendonte se ishte shkelur Kushtetuta me masën e caktuar ndaj tij.

Në një shkrim të gjatë në rrjetet sociale, Bardhi u shpreh se ka një qëndrim të ndryshëm nga Kushtetuesja sa i takon masës së sigurisë “arrest shtëpie” duke thënë se Kushtetuta e cilëson se duhet fillimisht të merret leje nga Kuvendi.

Ai e cilësoi si të panevojshme këtë masë të caktuar ndaj Berishës dhe bëri thirrje që SPAK dhe GJKKO të revokojnë masën e arrestit shtëpiak të kryedemokratit, duke theksuar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese tregon se vetëm masa “detyrim paraqitje” është e mjaftueshme.

Reagimi i plotë i Bardhit:

Sali Berisha ka mbrojtur Kushtetutën dhe interpretimin/standardin që vetë Kuvendi kishte aplikuar në raste të mëparshme (precedenti “Tahiri”), ku kishte autorizuar prokurorinë për marrjen e masave të sigurimit “detyrim paraqitje” apo “ndalim të daljes jashtë vendit”. Për këtë arsye, kam një qëndrim thelbësisht të ndryshëm me Gjykatën Kushtetuese sa i përket nevojës për marrjen e autorizimit nga Parlamenti kur kufizohet liria e lëvizjes së një deputeti të Kuvendit të Shqipërisë.

Megjithatë, të paktën standardi i pranuar nga vendimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese konfirmon atë që kam thënë prej ditës së parë se masa e “arrestit në shtëpi” ndaj kryetarit të Partisë Demokratike Sali Berisha është tërësisht e panevojshme, joproporcionale e për rrjedhojë antikushtetuese. Kjo për faktin se nëse masa “ndalim i daljes jashtë vendit” (si kufizim lirie) është konsideruar nga Gjykata Kushtetuese si e panevojshme, joproporcionale dhe antikushtetuese, atëherë masa më e rëndë e “arrestit në shtëpi” (si heqje lirie) është disafish më e panevojshme dhe më joproporcionale, për rrjedhojë thellësisht antikushtetuese.

Masat e sigurimit nuk janë masa ndëshkimi dhe nuk mund të trajtohen kurrësesi si të tilla gjatë fazës së hetimit apo gjykimit, ku cilido prezumohet i pafajshëm. Ato nuk duhet të pengojnë, në mënyrë joproporcionale dhe përtej asaj që është e nevojshme, një të zgjedhur të ushtrojë në liri të plotë mandatin kushtetues të fituar nga qytetarët. Gjykata Kushtetuese qartësisht ka theksuar se VETËM masa "detyrim për t'u paraqitur në policinë gjyqësore" është e mjaftueshme në drejtim të domosdoshmerisë, përshtatshmërisë dhe ashpërsisë.

Për rrjedhojë, tashmë që Gjykata Kushtetuese është shprehur dhe nën dritën e këtij zhvillimi të ri, SPAK dhe GJKKKO duhet që, nën frymën, standardin dhe logjikën e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, pra në përputhje me vetë Kushtetutën, të procedojnë menjëherë dhe pa vonesa me revokimin e masës joproporcionale të “arrestit në shtëpi” ndaj Sali Berishës, të cilit, përveçse kufizimit të padrejtë të lirisë në shkelje të parimit universal të prezumimit të pafajësisë, po i pamundësohet prej 326 ditësh ushtrimi i funksioneve si deputet i Kuvendit, kryetar i Partisë Demokratike dhe Lider i opozitës.

Çdo sjellje e ndryshme nga ajo që ka diktuar sot thelbi logjik dhe standardi i vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese mbi proporcionalitetin e masave që janë aplikuar ndaj Sali Berishës, do të na kujtonte precedentin antikushtetues të mazhorancës socialiste që refuzoi dy herë zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese me qëllim mbrojtjen politike të deputetes dhe ish-ministres strategjike Olta Xhaçka. Vetëm se në këtë rast nuk do ishim përpara mbrojtjes politike nga vetë politika, por përpara një akti edhe më të rëndë, atij të sulmit politik të drejtësisë ndaj kundërshtarëve të regjimit të Edi Ramës, me qëllim pengimin e aktivitetit politik të tyre në funksionalitet të plotë të betejës së opozitës.

Çdo vonesë e mëtejshme në këtë drejtim do të minonte demokracinë dhe do të përbënte një ndërhyrje brutale të drejtësisë, në kundërshtim flagrant me Kushtetutën, në barazinë e palëve në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke penguar Liderin e opozitës të jetë lirisht aktiv në fushatën e ardhshme zgjedhore. 326 ditë pengesë antikushtetuese e aktivitetit politik të Linderit të opozitës janë mjaftueshmërisht të rënda për të toleruar të bëhen 327 ditë apo më shumë!

Gjykata Kushtetuese nga ana tjetër bëri me dije se do të ketë një seancë tjetër lidhur me kërkesën e Berishës për shpalljen e "arrestit shtëpiak" ndaj tij si masë "antikushtetuese". Berisha mbahet në arrest shtëpiak që prej 30 dhjetorit të vitit të kaluar. Ai akuzohet për aferën Partizani, për të cilën është marrë i pandehur zyrtarisht nën akuzën e korrupsionit pasiv. Versus.al

Poll