AKTUALITET /

Mirza Alibegaj sërish ‘në skenë’, bashkëpronare me lavazhierin e Daniel Shimës në lokalin 1 milionë euro që u shit për një ‘kothere’

Shkruar nga Versus
Mirza Alibegaj sërish ‘në skenë’, bashkëpronare
Mirza Alibegaj dhe restoranti i dyshuar i Daniel Shimës

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit është shndërruar prej vitesh në simbol të abuzimit me fondet publike, dhe rasti “Magus Tirana” ekspozon në mënyrë tronditëse se si tenderat, lavazhet, restorantet luksoze dhe kompanitë e marketingut lidhen në një zinxhir interesash mes zyrtarëve, kushërinjve të tyre dhe të njëjtave fytyra të botës së biznesit. Në qendër të skemës shfaqen emrat e Marin Shpatës, kushëri i ish-nëndrejtorit të AKSHI-t Daniel Shima, dhe Mirza Alibegajt, administratore e besuar e kompanive që kanë përfituar miliona nga tenderat për e-Albania.

Nga “zeroja” te restoranti luksoz në Lundër

Marin Shpata, i njohur më parë për biznese modeste si lavazhe, brenda pak vitesh shfaqet si pronar i një restoranti super luksoz në zonën elitare të Lundrës, Farkë. Në vitin 2023, Shpata së bashku me Mirza Alibegajn hapin “Magus Tirana”, një lokal i pozicionuar në një ambient që vlerësohet të kapë mbi 500 mijë euro vetëm si truall, ndërsa investimi i brendshëm dhe arredimi mund të arrijnë të paktën edhe 500 mijë euro të tjera. Pra, kemi të bëjmë me një aset që shkon lehtësisht në mbi 1 milion euro vlerë.

Mirza Alibegaj nuk është thjesht “administratore rasti”: ajo vjen nga bota e agjencive të marketingut të lidhura me AKSHI-n, ku kanë fituar tenderë të majmë për reklamimin e platformës qeveritare e-Albania. Pra, partneriteti i saj me kushëririn e një ish-nëndrejtori të AKSHI-t për të hapur një biznes luksoz nuk është aspak rastësi, por pjesë e të njëjtit rreth interesash.

Lëvizjet e pronësisë: Si zhduken gjurmët

Në janar të vitit 2024 ndodh lëvizja kyçe: Mirza Alibegaj largohet si aksionere nga “Magus Tirana” dhe ia transferon të gjitha kuotat Marin Shpatës. Kjo do të thotë se restoranti kalon de fakto i gjithi në pronësi të kushëririt të Daniel Shimës. Një tërheqje e qetë nga skena, ndërkohë që pasuria dhe kontrolli mbeten në familjen e lidhur me zyrtarin e lartë të AKSHI-t.

Por vetëm pak kohë më pas, në pranverën e vitit 2025, vjen lëvizja që e bën historinë të duket hapur si tentativë për të fshirë gjurmët: “Magus Tirana” shitet. Sipas dokumenteve të brendshme, më 16.04.2025 depozitohet vendimi dhe kontrata e shitjes, ku vërtetohet se 100% e kuotave të shoqërisë transferohen nga ortaku “e-LAVA” (që kontrollon “Magus Tirana” dhe ka si pronar përfitues Marin Shpatën) tek subjekti i ri “GREEN on REPEAT” me pronar Ermal Hysesani.

Mirza Alibegaj sërish ‘në skenë’, bashkëpronare

Deri këtu, në pamje të parë, mund të dukej si një transaksion normal biznesi. Por pastaj del në dritë detaji që e rrëzon këtë narrativë: vlera e shitjes.

Restorant milionësh i shitet “me qera të një garsoniereje”

Në dokumentacionin shoqërues thuhet se vlera e shitjes së 100% të kuotave të “Magus Tirana” është vetëm 200 mijë lekë. Pra, një restorant i vendosur në një ambient që vlen mbi 500 mijë euro, i investuar me arredim dhe pajisje që mund të arrijnë deri në 500 mijë euro të tjera, shitet për rreth 2 mijë euro. Kjo nuk është thjesht një marrëveshje e keqe biznesi,  është një shuplakë ndaj inteligjencës.

Logjika e tregut nuk e përtyp dot këtë: kush shet një aset luksoz me vlerë të paktën 1 milion euro, si të ishte një automjet gati për skrap?! Kjo krijon dyshimin e fortë se kemi të bëjmë me një skemë klasike: zhvendosja formale e pronësisë për të fshehur origjinën e parave, për të humbur gjurmët e flukseve financiare dhe për të shmangur kontrollin e mundshëm të institucioneve hetimore.

Fakti që biznesi thuhet se “xhironte qindra mijëra euro” e bën edhe më skandaloze këtë vlerësim qesharak shitjeje. Në çdo vend me institucione serioze, një transaksion i tillë do të ngrinte alarmin e menjëhershëm të tatimeve, SPAK-ut dhe njësisë kundër pastrimit të parave.

Kush është Mirza Alibegaj: “ushtarja” e tenderave të AKSHI-t

Mirza Alibegaj sërish ‘në skenë’, bashkëpronare

Mirza Alibegaj nuk është thjesht një ish-pronare e një restoranti luksoz. Ajo është një nyje kyçe në zinxhirin e kompanive të cilat kanë rrotulluar miliona me tenderat e AKSHI-t.

Aktualisht, Alibegaj është administratore e firmës “Spot Communications”, e cila në vitin 2022 fitoi tenderin e madh prej 1.7 miliardë lekësh (rreth 1.6 milion euro) për reklamimin e portalit e-Albania.

Në vitin 2013, ajo ka qenë administratore e “1Up” sh.p.k., një tjetër agjenci marketingu që mori pjesë në tenderët e AKSHI-t.

Kompania “Le Spot Group” (themeluar nga Theodhoro Çami) ka qenë ortake fillimisht me “1Up” dhe më pas me “Spot Communications”. Pra, një rreth i ngushtë kompanish që luajnë “garë” me njëra-tjetrën në letra, por në prapaskenë kontrollohen nga të njëjtët njerëz.

Kjo tregon qartë skemën: kompani “të ndryshme” në dukje, por të lidhura mes tyre, me administratore të lëvizura si gurë shahu nga njëra firmë te tjetra për të ruajtur kontrollin e tenderave dhe për të simuluar konkurrencë në proceset e prokurimit publik.

Nën hetim nga SPAK, por rrjeti vazhdon

Emri i Mirza Alibegajt nuk ka munguar as në dosjet penale. Në vitin 2023, Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) ka regjistruar procedim penal ndaj saj për shpërdorim fondesh dhe konflikt interesi, në bashkëpunim me zyrtarë të AKSHI-t. Pra, nuk bëhet fjalë vetëm për dyshime mediatike, por për hetime formale penale.

Gjithashtu në vitin 2024, në media emri i saj u lakuar në kuadër të hetimeve që SPAK po kryente ndaj Ilir Metës e Monika Kryemadhit. Në dosje, Alibegaj rezulton të ketë qenë personi që u kishte prerë biletat për trajtime mjekësore jashtë vendit.

Megjithatë, pavarësisht hijes së dyshimit penal, Alibegaj vazhdon të jetë e pranishme në strukturat e kompanive që kanë përfituar miliona nga fondet publike dhe, njëkohësisht, ka qenë krah për krah me kushëririn e ish-nëndrejtorit të AKSHI-t në një biznes luksoz si “Magus Tirana”.

AKSHI, nga “shtylla digjitale” te “lavatriçja” e parave publike?

Rasti “Magus Tirana” është vetëm një fragment i një tabloje shumë më të errët: AKSHI, institucioni që duhej të sillte transparencë, digjitalizim dhe shërbime moderne, rezulton të jetë kthyer në një vatër të madhe konflikt interesi dhe abuzimi me tenderat. Miliona euro për reklama, portale, spote e fushata “informuese”, ndërsa qytetarët përballen me shërbime të dobëta dhe pa llogaridhënie.

Kur kushërinjtë e zyrtarëve të lartë të AKSHI-t kalojnë nga lavazhet te restorantet milionëshe në zona elitare, kur bizneset e tyre shiten “sa gjysma e qerasë së një garsoniereje në Tiranë”, dhe kur administratoret që kanë firmosur tenderë të mëdhenj për e-Albania rezultojnë nën hetim nga SPAK, atëherë nuk kemi më thjesht një problem teknik. Kemi një sistem të tërë që duket se përdor institucionet shtetërore si platformë për të prodhuar para, për t’i qarkulluar nëpër kompani fiktive, dhe më pas për t’i “larë” përmes bizneseve luksoze.

Pyetja nuk është më “a ka dyshime?”, por sa gjatë do të tolerohet një strukturë që i trajton fondet publike si kapital privat, tenderat si pronë familjare, dhe shtetin si kulisën ideale për pasurinë e një grushti njerëzish. Versus.al

Poll