
Kuvendi mblidhet sot në një seancë plenare në orën 17:00 pas një jave pushim. Në rendin e ditës janë miratimi i procesverbalit të seancës plenare të zhvilluar më datë 17 tetor kur pati edhe përplasje brenda dhe jashtë sallës plenare mes deputetëve, garditësve dhe efektivëve të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë.
Që prej 30 shtatorit, me heqjen e mandatit të Salianjit pas arrestimit të tij në kuadër të vuajtjes së dënimit me 1 vit burg për kallëzim të rremë, në Kuvend është rikthyer kaosi i shkaktuar nga deputetët e Partisë Demokratike të cilët kanë paralajmëruar mosbindje civile deri në formimin e një qeverie teknike para zgjedhjeve parlamentare të 2025-ës.
Në seancën e sotme pritet të ketë gjithashtu edhe diskutime për probleme që deputetët i kanë evidentuar nga zgjedhësit, por nuk dihet sesa do të mund të realizohen diskutime të tilla pasi deputetët e opozitës kanë paralajmëruar se nuk do të lejojnë vijimin e seancave plenare në normalitet.
Herën e kaluar, pati edhe përplasje brenda Kuvendit të deputetëve të papërjashtuar dhe atyre socialistë. Madje pati akuza se deputetja Elda Hoti hodhi benzinë drejtuar kolegëve socialistë, akuzë që u mohua nga demokratja e cila tha se ishte thjesht aromatizues. Versus.al









