
Detaje të reja janë zbardhur nga dosja hetimore e SPAK në ngarkim të kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta sa i takon akuzave për atë që njihet ndryshe si “afera CEZ-DIA” akuzohet se ka ndërmjetësuar lidhjen mes kompanisë “DIA” të Kastriot Islamajt dhe kompanisë çeke të energjisë “CEZ” dhe në këmbim ka përfituar ryshfet.
Sipas dosjes së SPAK, në një kontratë të nënshkruar në vitin 2010, shoqëria DIA ka paguar 16.800 000 lekë për shoqërinë “BTT” në pronësi të Shpëtim Shehut për blerjen e motorëve, ndërkohë që kjo kompani nuk kishte blerë më herët makineri dhe pajisje. Më tej, në dosje thuhet se përfituese fundore e kësaj shume të paguar nga ana e kompanisë “DIA”, ka qenë kompania “Xhenis” me pronar Agron Çelën. Ky i fundit u zgjodh deputet i LSI-së në vitin 2013.

Ndërsa në zgjedhjet parlamentare të 2017-ës dhe 2021-it, Çela arriti të merrte sërish mandat në qarkun e Shkodrës nën siglën e LSI-së. Por vetëm një vit më vonë, në dhjetor të 2022-it, ai zyrtarizoi kalimin e tij tek Partia Socialiste e Edi Ramës.
Në nëntor të vitit të kaluar, Çela është paraqitur në SPAK ku nuk dha detaje mbi arsyen. Por tashmë me detajet e reja të zbuluara, dyshohet se ish-aleati i Metës ka qenë një prej personave që është marrë në pyetje për aferën “CEZ-DIA”. Pavarësisht se sipas dosjes hetimore, kompania e Çelës nuk ka kryer asnjë shërbim për “DIA-n duke marrë kështu pagesa fiktive, ndaj tij nuk është marrë asnjë lloj mase sigurie dhe as nuk është nën hetim. Versus.al








