Kryeministri Edi Rama njofton se qeveria do të marrë masa të ashpra për të luftuar legalizimet e paligjshme në hapësirën publike.
Për të gjitha rastet ku janë ngritur tenda hekuri me qëllim fitimi në kurriz të komunitetit, duke marrë dokumente legalizimi, do të ketë zero tolerancë dhe anullim ligjor.
Kryeministri thekson se ky është një hap i rëndësishëm për të mbrojtur hapësirat publike dhe për të garantuar rendin dhe ligjin në territorin shqiptar.
''Për të gjitha këto lloj çmendurish me qëllim fitimi në kurriz të komunitetit, të cilat kanë marrë dokument legalizimi në hapësirën publike duke ngritur tenda hekuri, jo vetëm që do të reagohet me zero tolerancë duke i anulluar ligjërisht, por do të miratohet së shpejti, si pjesë e reformës së re të kontrollit të territorit edhe një masë për ndëshkimin penal të të gjithë atyre nëpunësve të Aluiznit dje apo të Kadastrës më pas, që kanë firmosur për këto legalizime kriminale në mes të lagjeve të qyteteve tona'' shkruan Rama në postim.
Rasti i lokalit në foto, i publikuar nga Kryeministri, ndodhet në Tiranë. Me një vendim të marrë sot, Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka anuluar legalizimin e shtesës së këtij lokali, e cila ishte miratuar më 12 mars 2025 në tokë publike.
Në nivel kombëtar ka nisur një aksion për shembjen e objekteve pa leje që kanë zaptuar hapësira publike.







