POLITIKË /

“Ligji do jua hajë kokat”/ Berisha flet për policët e korruptuar: S’ka tolerancë me krimin

“Rendi dhe Siguria”, ishte tema të cilën Sali Berisha komunikoi pasditen e kësaj të premte. Kryedemokrati u shpreh se brenda 16 muajve, qeverisja e PD-së do të godasë të gjithë organizatat kriminale shqiptare dhe rajonale.

Shkruar nga Versus

 

“Ligji do jua hajë kokat”/ Berisha flet për policët e

“Rendi dhe Siguria”, ishte tema të cilën Sali Berisha komunikoi pasditen e kësaj të premte. Kryedemokrati u shpreh se brenda 16 muajve, qeverisja e PD-së do të godasë të gjithë organizatat kriminale shqiptare dhe rajonale. Gjatë fjalës së tij, Berisha tha se të gjithë punonjësit që janë të përfshirë në veprimtari kriminale do të largohen nga Policia dhe do të përballen me ligjin.

Sali Berisha: E vërteta është se Shqipëria ka disa emergjenca sot, por një nga emergjencat e mëdha të saj dhe në mënyre të pamohueshme pa zgjidhjen e së cilës, pa të tjerat nuk mund të zgjidhen është gjendja e Policisë së Shtetit. Ky institucion është i përbërë nga individë të përfshirë në kultivimin, trafikun e drogave, shpërndarjen e drogave, tregtimin e tyre, ndihmën ndaj trafikantëve dhe nëqoftëse ne nuk pastrojmë policinë nga këta individë, kriminelë, ne nuk do të kemi kurrë institucionin që ne duam. Ndaj dhe jam këtu për të garantuar ju dhe mbarë shqiptarët, se të gjithë ata individë të përfshirë në veprimtari të tilla, do të largohen nga policia dhe do të përballen me ligjin për veprimtarinë e tyre kriminale.

Ndërkohë, për të gjithë ata punonjës policie që kanë përdorur komunikimet përmes “Sky Enchro chat” apo “Matrix”, kryedemokrati Berisha është shprehur do të largohen nga strukturat e Policisë dhe do të penalizohen. Kryedemokrati ka shtuar se nuk do të ketë asnjë tolerancë për lidhjet me krimin.

Sali Berisha: Po kështu të gjithë ata punonjës, oficerë, inspektorë policie, që kanë përdorur komunikimet elektronike sekrete me telefona të koduar, Sky Enchro chat apo Matrix, se ky Proda është një Matrix i gjallë do të largohen nga strukturat dhe do të penalizohen. Zero tolerancë në lidhjet me krimin. Të gjithë ata persona, anëtarë të Policisë së Shtetit që kanë disponuar informacione për përfshirjen në aktivitete kriminale nga punonjës të zbatimit të ligjit dhe inteligjencës, të vendit apo të huaj, edhe ata do të largohen nga Policia e Shtetit. Nëse nuk e pastrojmë shtëpinë tonë, ne nuk do ta gëzojmë atë. Ndaj dhe puna jonë do të fillojë me pastrimin e shtëpisë tonë.

Gjatë këtyre viteve Edi Rama që është një eksponent botëror krimi, mik i Sinaloas së Meksikës, por edhe i Pëllumb Gjokës së Velipojës, i Bajrave të Dobraçit të Shkodrës, e Çelëve të Elbasanit, Troplinëve të Durrësit dhe gjithë bandave kryesore të vendit, i ka angazhuar gjerësisht bashkëpunëtorët e tyre në polici, së bashku me këto banda në fushatë elektorale, duke bërë që ata të kryejnë krime të rënda elektorale. Garantoj se, çdo efektiv i Policsë së Shtetit që është implikuar në krim elektoral në forma të ndryshme, do të ndëshkohet. Jo vetëm do të largohet nga policia, por do të ndëshkohet rëndë për krimin elektoral, si një krim kushtetues, si një krim i rëndë politik, si një atentator ndaj demokracisë së vendit.

Në programin tonë, në rast se do e nisim nga pastrimi i shtëpisë tonë, ne do të kalojmë në luftën me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kjo luftë synon goditjen dhe çmontimin e të gjitha grupeve dhe organizatave kriminale, vendase, rajonale dhe kudo që ndodhen në një afat kohor 16 mujor. Ne u shpallim luftë atyre dhe i garantoj se nuk do të ketë paqe me ta, deri në vendosjen e tyre para ligjit.

 

Poll