
Katër kandidatët e Partisë Demokratike që morën pjesë në zgjedhjet e 11 Majit kanë depozituar kërkesa për rinumërimin e votave preferenciale në qarqet e Tiranës dhe Durrësit.
Ata ngrejnë pretendime për parregullsi gjatë procesit të numërimit, duke pohuar se votat e tyre preferenciale janë regjistruar gabimisht në emër të kandidatëve të tjerë.
Ilir Alimehmeti ka ankimuar zyrtarisht rezultatin në Qarkun e Tiranës, duke kërkuar rinumërimin e votave.
Në shkresën e dërguar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), ai argumenton se diferenca mes tij dhe kandidatës që prin në listën e hapur, Jorida Tabaku, është shumë e vogël dhe rezultati mund të jetë i ndikuar nga parregullsi që sipas tij arrijnë rreth 5% të votave të numëruara.
Alimehmeti sqaron gjithashtu se vetëm në një qendër votimi, 27 vota preferenciale që duhej t’i takonin atij janë regjistruar në emër të një kandidati tjetër, ndërsa në tabelën përmbledhëse ai figuron me zero vota.
Mimoza Hajdarmataj në kërkesën e saj ka denoncuar se në të paktën gjashtë KZAZ në Tiranë janë evidentuar mbi 1,000 vota me parregullsi. Ajo thekson se qendrat e votimit të përmendura, së bashku me të tjera, ngrejnë dyshime serioze mbi saktësinë e numërimit në të gjithë qarkun, duke kërkuar rinumërimin ose rivlerësimin e të gjitha votave në zonë.
Lisandër Hoxha pretendon se gjatë shqyrtimit të pamjeve të procesit të numërimit të votave, që i janë dhënë pjesërisht nga KQZ, ka konstatuar se disa vota preferenciale të tij janë regjistruar në emër të një kandidati tjetër.
Kandidati i PD-së për qarkun e Durrësit, Aulon Kalaja, ka kërkuar gjithashtu rinumërimin e votave preferenciale, duke argumentuar në letrën drejtuar KQZ-së se gjatë procesit të numërimit dhe raportimit të rezultatit janë konstatuar shkelje dhe parregullsi që kanë ndikuar rëndë në procesin zgjedhor. Ai thekson se këto shkelje kanë cenuar drejtësinë e ndarjes së mandateve dhe kërkon hetim administrativ mbi këtë çështje.







