Sot në orën 10:00 mblidhet për herë të parë Kuvendi i deputetëve të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 11 majit në zbatim të dekretit të firmosur nga presidenti Bajram Begaj për konstituimin e parlamentit.
Sipas traditës seanca e parë duhet të drejtohet nga deputeti më i vjetër në moshë që në këtë rast do të jetë ligjvënësi socialist Vasil Llajo. Kjo për shkak se Sali Berisha, pavarësisht se është më i vjetri në moshë, së bashku me Tritan Shehun kanë refuzuar të marrin pjesë në këtë moment.
Pritet që e vetmja vendimmarrje të jetë ngritja e komisionit për verifikimin e mandateve të deputetëve të zgjedhur më 11 maj. Ndërsa pasditen e nesërme, Kuvendi do të mblidhet sërish për të konstituuar të propozuarit nga partitë politike.
Në krye të Kuvendit do të jetë Niko Peleshi, ndërsa zëvendëse e tij do jetë Klodiana Spahiu. Nga ana tjetër opozita ka propozuar Agron Gjekmarkajn për vendin e zv.kryeparlamentarit. 72 deputetë ulen për herë të parë në Kuvendin e ri.
Legjislatura e XI-të e Kuvendit përbëhet nga partitë politike si më poshtë:
Partia Socialiste-83 mandate
Partia Demokratike-50 mandate
Partia Socialdemokrate-3 mandate
Partia Mundësia-2 mandate
Partia “Lëvizja Shqipëria Bëhet”-1 mandat
Partia “Lëvizja Bashkë”-1 mandat. Versus.al







