POLITIKË /

Mesnata, shansi i fundit i emigrantëve për 11 majin, Celibashi: PD kërkoi shtyrjen e afatit, PS ishte kundër

Celibashi tha se PS e kishte konsideruar të panevojshëm shtyrjen e afatit për shkak se nuk do të sillte ndonjë ndryshim të madh në numrin e emigrantëve të regjistruar për të votuar.

Shkruar nga Versus
Mesnata, shansi i fundit i emigrantëve për 11 majin, Celibashi: PD
Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi

Sot në mesnatë mbyllet afati i regjistrimeve për emigrantët që jetojnë jashtë të cilët duan të votojnë në zgjedhjet e 11 majit. Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi tha para gazetarëve se PD kishte kërkuar shtyrjen e këtij afati.

Por nga ana tjetër, PS e kishte cilësuar si të panevojshme një gjë të tillë duke argumentuar se 2/3 ditë të tjera, nuk do të sillnte ndonjë ndryshim në aspektin e personave të regjistruar për të votuar.

“Në datën 9 mars KQZ ka detyrimin të shpallë listën paraprake dhe ky është afat i përcaktuar nga ligji. Deri në datën 9 mund të diskutojmë për afate të tjera. Por pa një proces të amendimi ligjor, nuk mund të shkojmë tej kësaj date. Diskutimi është a mund të shtyhet ky afat. PD kërkoi shtyrjen e afatit. Nga pikëpamja teknike për ne nuk ka asnjë lloj problemi. PS nuk ka qenë dakord me këtë ide duke arsyetuar që tashmë data 4 është e njohur për të gjithë si afat i fundit dhe sipas tyre, shtyrja për 2 apo 3 ditë nuk do ndryshonte ndonjë gjë të madhe”- u shpreh kreu i KQZ.

Ai shtoi se po punohej për të rritur shërbimet për të bërë të mundur që aplikimet e refuzuara të jenë të pranueshme dhe të plotësohen dokumentacionet e nevojshme të kërkuara.

“Kemi 42 mijë aplikime të refuzuara, të paktën për këta persona ne të akomodojmë përmes asistimit të komunikimit, do ta rrisnim dhe kemi bërë një shërbim të mirë për çështjen e numrit të votuesve nga jashtë. Ndërsa për pjesën tjetër, për mua edhe 3 ditë të qëndronin hapur, nuk do kishte asnjë problem. Por kemi filluar në 11 janar, ka qenë kohë e mjaftueshme për këdo që të regjistrohej për të votuar. Nuk do zgjidhej problemi për 3 ditë dhe nuk do kishte ndonjë fluks”- u shpreh Celibashi.

Më tej bëri me dije se kanë nisur procedurat për kontraktimin e shërbimit postar që do të merret me dërgimin e fletës së votimit në adresën e caktuar nga emigrantët dhe marrjen e tyre mbrapsht pas votimit. Versus.al

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: