
Ish-presidenti Ilir Meta ka reaguar nga qelia përmes një telefonate me gazetarët, ku është shprehur i vendosur për t’u përballur me drejtësinë, pa kërkuar asnjë tërheqje apo lehtësi procedurale. Ai ironizoi autoritetet dhe akuzoi qeverinë për një fushatë të organizuar kundër opozitës.
“Çuditërisht nuk është paraqitur njeri të më shoqërojë atje, ndërkohë që avokati im rri kot. Mezi pres të shkoj vetë, t’i përshëndes për ‘83 mandatet’ që ua dhanë vetes me Task Forcën kundër opozitës. Po aq e fortë është edhe Task Forca tjetër – ajo që nuk vepron kundër terroristëve elektoralë,” deklaroi Meta me tone të ashpra.
Sipas tij, SPAK nuk është në gjendje të kuptojë krimet e “sofistikuara” të kryeministrit Edi Rama: “Nuk i kuptojnë dot krimet intelektuale të Edi Ramës, si inceneratorët që nuk ekzistojnë.”
Meta tha se mezi pret të ketë gazetarë ndërkombëtarë që të shohin “shkrimet e Mero Bazes dhe të gjithë atyre që flasin si ai”, duke i cilësuar si prova të lidhjes së sistemit të drejtësisë me qeverinë. Ai e cilësoi SPAK-un si "pjellë të një votimi antikushtetues me 69 vota", që sipas tij, prodhoi një Prokuror të Përgjithshëm të zgjedhur në mënyrë të paligjshme, dhe më pas, një zinxhir emërimesh të diktuara nga politika.
“Çuditërisht nuk është paraqitur të më shoqërojnë atje dhe kam hallin e avokatit tim që po rri kot atje. Mezi po pres të shkoj që t’i uroj për 83 mandatet e tyre që ua dhanë me Task Forcën e tyre kundër opozitës. Po njëkohësisht edhe me Task Forcën e tyre për të mos vepruar kundër terroristëve elektoral. Nuk i kuptojnë dot krimet intelektuale të Edi Ramës si inceneratorët që nuk ekziston.
Mezi pres dhe s’kam ndërmend të kërkoj asgjë, mezi po pres që të ketë gazetarë ndërkombatarë të shikoni shkrimet e Mero Bazes e shkrimet e atyre që janë si Mero Baze edhe të shikoni prova se çfarë është kjo organizatë në shërbim të Edi Ramës. Pjellë e një votimi antikushtetues m 69 vota të Prokurorit të Përgjithshëm që zgjodhi KLP-në në mënyrë të paligjshme pastaj zgjodhi dhe këta.”- tha ai.
Në fund, Meta falënderoi publikisht mbështetësit e tij në zgjedhje:
“I falënderoj nga zemra 8 mijë heronjtë që votuan për Ilir Metën.”- tha ai.
Prokuroria e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupionit ka përfunduar hetimet për dosjen Cez-Dia, lobimin e ish-LSI në SHBA dhe hetimin pasuror ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit. Ish-çifti Meta-Kryemadhi që u divorcuan pak kohë më parë janë hetuar për korrupsion, pastrim parash, mosdeklarim e fshehje pasurie. Versus.al







