
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho ka reaguar ashpër dhe me kritika ndaj Sali Berishës sa i takon lëvizjes më të fundit të Ervin Salianjit i cili ka paralajmëruar nisjen e takimeve me demokratët duke filluar nga Durrësi.
Teksa thekson se edhe Berisha duhet të hapë rrugë për të rinjtë në PD, Spaho flet me mosbesim për Salianjin për të cilin thotë se nuk mund të jetë simbol i ndryshimit. Mes të tjerash zbulon se Berisha për pak e bëri kryetar të grupit parlamentar pas ribashkimit të PD.
“Nuk kam asgjë kundër me lëvizjen ne vetvete. PD ka nevojë për mendim te ri, njerëz të rinj, për ndryshim thelbësor dhe veçanërisht zgjedhje të ndershme e të pamanipuluara. Vetem kështu mund të hapë kapitull të ri dhe të ribëhet shprese për vendin. Por kur shoh se kush po bëhet simbol i ndryshimit më vjen të qesh. Mjeshtri i piruetave, i mashtrimit dhe i shkopit të bejzbollit. Doktori e meriton këtë tip. Ra nga shiu në breshër. E mori dhe e beri hero, për pak Kryetar të Grupit Parlamentar. Për shkak të kushteve që ky individ i vuri, larguan mbështetësit e Foltores dhe ngritën këtë në piedestal”- shkruan Spaho mes rreshtash.
Sipas tij e gjithë kjo gjë që po ndodh është vetëm “avaz i vjetër” duke nënvizuar se PD ka nevojë për krejt diçka tjetër.
"I kthehem prapë çështjes së ndryshimit. PD ka nevojë për qilizëm dhe jo për foltore të reja kur e para ngeli rrugëve, jo për protesta simbolike apo lëvizje "për ndryshim" motivuar nga interesa personale e meskine. Gjithçka po ndodh nuk është vecse sezon i ri, avaz i vjetër. Vecanerisht kur sheh se cilët po udhëheqin "perpjekjet" për ndryshim”- shton Spaho në shkrimin e tij. Versus.al

