POLITIKË /

“Mjaft më me pritje, mbani premtimet...!” Shqipëria kërkon konkretizim të premtimeve të BE-së

Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha: “Premtimi i Selanikut mbetet ende premtim” Gerapetritis flet për një “moment historik” dhe anëtarësime të mundshme deri në 2027

Shkruar nga Versus

“Mjaft më me pritje, mbani premtimet...!” Shqipëria

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka kërkuar hapa konkretë nga Bashkimi Evropian, duke deklaruar se Shqipëria ka pritur për më shumë se dy dekada për anëtarësim.

Duke folur në Forumin e Delphit, ai u shpreh qartë se “premtimi i Selanikut” vijon të mbetet ende një premtim i pambajtur, ndërsa theksoi se tashmë çështja lidhet drejtpërdrejt me besueshmërinë e vetë BE-së.

Gjithçka është thënë nga ana jonë. Shqipëria ka bërë punën e saj. Tani është koha që premtimet të kthehen në realitet,” deklaroi Hoxha, duke shtuar se vendi nuk dëshiron të humbasë këtë moment, pas përpjekjeve të konsiderueshme të viteve të fundit në procesin e integrimit.

Ai nënvizoi gjithashtu se deri në fund të vitit të ardhshëm, Shqipëria synon të jetë shumë pranë përmbylljes së çështjeve të mbetura pezull nga Bashkimi Evropian, duke e konsideruar këtë një hap kyç drejt anëtarësimit.

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm grek, Giorgos Gerapetritis, vuri në dukje nevojën për rigjallërimin e Axhendas së Selanikut, duke pranuar se gjatë 23 viteve të fundit ka pasur zhgënjime dhe pengesa.

Ai shprehu optimizëm se gjatë presidencës greke të BE-së në vitin 2027 mund të konkretizohet anëtarësimi i një ose më shumë vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke e cilësuar zgjerimin si një “ribashkim thelbësor të Evropës”.

Ndërkohë, përfaqësues të tjerë të rajonit u shprehën më shkurt për procesin: Ministri serb Nemanja Starović theksoi rëndësinë e reformave dhe bashkëpunimit ekonomik, ndërsa përfaqësuesi i Malit të Zi, Ivan Ivanišević, foli për një moment pozitiv gjeopolitik dhe nevojën për të përshpejtuar negociatat.

Deklaratat vijnë në një moment kur vendet e Ballkanit Perëndimor kërkojnë më shumë qartësi dhe vendosmëri nga Bashkimi Evropian, ndërsa në kuadër të forumit pritet edhe nënshkrimi i një deklarate bashkëpunimi që synon të vendosë afate konkrete për rrugën drejt anëtarësimit.

Poll