
Ditë më parë deputeti socialist Erion Braçe nëpërmjet një videoje të publikuar në rrjetin e tij social, paralajmëronte Adriatik Lapajn, kreun e lëvizjes “Shqipëria Bëhet” që të mos merrej më me denoncimet ndaj ‘vullnetarëve’ të PS që mblidhnin vota të diasporës.
Në një fjalor të papërshtatshëm, Braçe akuzoi Lapajn se po i shërbente Berishës për të bërë për vete ‘elektoratin gri’. Teksa nuk u kursye në fyerje, socialisti hodhi edhe akuza ndaj Lapajt për shoqërimin me persona të inkriminuar.
Pas Adriatik Lapajt, ka reaguar edhe i ati i tij Ferman Lapaj. Me një qetësi dhe ironi therëse, Ferman Lapaj ka komentuar në videon ku Erion Braçe paralajmëron të birin dhe i kërkon deputetit që të takohet me të nëse ka ndonjë ankesë për djalin e tij.
Duke shprehur shqetësimin e tij për paralajmërimet e Braçes ndaj të birit, Ferman Lapaj i kërkon socialistit që të mos e përsërisë të njëjtin gabim.
“Z.Braçe , Ferman Lapaj jam .Babai i Adriatikut .Ju dëgjova dhe mu dukët shumë i shqetësuar !Ju jeni deputet këtu e 25 vite , do të duhet të ishit mësuar me politikën e të ishit më i qetë . Sigurisht edhe më me etikë ! Nëse im bir të ka hyrë në hak juve personalisht unë ndodhem në Sarandë dhe të pres të më paraqitesh me ankesën pasi djalit tim i dal Zot unë dhe ai nuk guxon ti bjerë kujt në qafë .Nëse djali im merret me krimin ,për atë punë ka polici dhe prokurori .Ju nuk keni punë !Kërkova të gjëja çfarë të ka bërë ty personalisht ,por nuk gjeta gjë .Nëse për politik e ke kërcënuar ,ke bërë shumë gabim !Djali im nuk mban dot vëth se as unë babai i tij nuk kam mbajtur .Mos e përsërit më ! Të përshëndes!”- shkruan Ferman Lapaj në komentin e tij poshtë videos me fyerje të Braçes.

Adriatik Lapaj ka krijuar lëvizjen “Shqipëria Bëhet” dhe do të kandidojë në zgjedhjet parlamentare të 2025-ës. Prej muajsh ai po zhvillon një tur takimesh në të gjithë vendin dhe në shtete të ndryshme të BE. Në deklaratat e dhëna, Lapaj ka bërë me dije se nëse do të fitojë mandate nga votat e qytetarëve, nuk do të bashkëpunojë me asnjë prej partive politike që kanë qeverisur vendin.
E gjithë përplasja ‘virtuale’ erdhi pasi Adriatik Lapaj denconcoi Fatjon Lenën me pretendimin se ky i fundit po u bënte presion punonjësve të administratës publike duke u kërkuar 5 emra familjarësh që jetojnë në emigracion me qëllimin e sigurimit të votave për PS-në. Kjo solli reagimin e ashpër të Erion Braçes i cili pati edhe paralajmërime për kreun e lëvizjes “Shqipëria Bëhet”. Versus.al








