
Deputeti i Partisë Demokratike, Xhelal Mziu ka bërë një propozim lidhur me mungesën e ortakëve italianë të kompanisë “Sanservice” që fitoi koncesionin e Sterilizimit. Duke marrë si shembull, Umbro Staccinin, Mziu tha se nuk ka asnjë arsye të vlefshme për mosparaqitjen në komision për të dëshmuar.
Ndërsa tha se nëse personi në fjalë është në spital për shkak të ndonjë problemi shëndetësor, atëherë për të shmangur ndërhyrjen e policisë, anëtarët e komisionit, mund të shkojnë në spital për ta pyetur.
“Nuk besoj se ka ndonjë argument që nuk duhet të vijnë përfituesit kryesorë. Aq më tepër përfitues që nuk kishin asnjë lloj lidhje me atë shërbim që jepej. Të gjithë e dimë se kush ishte përfituesi, mjafton të shohësh mjetet e parkuara. Ka ndodhur dhe në komisione të tjera që një person që nuk vjen, për shkaqe të ndryshme, gjendjen metoda të tjera si për shembull online. Por madje edhe duke shkuar ne në spital nëse është e nevojshme. Të shohim sesa rëndë është ky zotëri dhe ëë shkojmë si komision në spital dhe ta pyesim e ta shohim sesa e rëndë është gjendja e tij. Për të mos shkuar deri te policia, do iu sugjeroja edhe mazhorancës që nëse është në spital, t’i shkojmë në spital t’i marrim dëshminë nëse ai e ka të pamundur paraqitjen”- u shpreh Mziu ndër të tjera.
3 ortakët italianë në koncesionin e Sterilizimit, kanë munguar për të tretën herë në komision me argumentin se kanë angazhime personale për të kryer në Itali. Versus.al







