Myslim Murrizi, kandidat për deputet në listën e Partisë Demokratike, ka reaguar ashpër pas humbjes së thellë të opozitës në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Përmes një postimi në rrjete sociale, Murrizi ka ndarë një video nga mbledhja e Këshillit Kombëtar të mbajtur më 12 shkurt, ku ai përplaset drejtpërdrejt me Flamur Nokën, duke denoncuar si dështim të paralajmëruar krijimin e primareve dhe mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve.
Në fjalën e tij të rikujtuar nga ajo ditë, Murrizi deklaron se kishte paralajmëruar rrezikun që kandidimi në lista të hapura do të kërcënonte deputetët ekzistues, dhe akuzon kolegët e tij për heshtje të qëllimshme, të motivuar nga interesat personale për t’u futur në “lista të qelbura”.
“Të tjerët heshtën si vemje me bindjen se nga kjo heshtje e pështirë dhe ky servilizëm bajat do t’u siguronte një vend të sigurt në listë për një karrige të pistë në Parlament,” shkruan Murrizi.
Ai akuzon hapur drejtuesit e qarqeve, duke theksuar se shumë prej tyre nuk morën pjesë në primare, madje disa nuk respektuan as rregullin për dorëheqje nga drejtimi i degës për të garuar.
Për Murrizin, koalicionet e PD me partitë aleate rezultuan një dështim i plotë, duke sjellë më shumë përfaqësim për aleatët me shumë pak vota, si rasti i Partisë së Lirisë dhe i PDIU-së:
“Partia e Metës mori 7800 vota dhe ka 4-5 deputetë. Shpëtim Idrizi me 1900 vota ka një deputet. Trim pas beteje dhe i mençur pas kuvendi mund të jenë vetëm spurdhjakët.”
Murrizi ka sulmuar ashpër edhe fushatën e opozitës, duke e quajtur njw turp me individë që vetëm me një dalje publike i kanë kushtuar PD-së mijëra vota.
Në përfundim, ai i drejtohet me tone të forta anëtarëve të Këshillit Kombëtar që, sipas tij, kanë zgjedhur të heshtin që prej prillit të vitit 2022:
“Ju ftoj, të paktën, të mos na hapni barkun me jargavitje në Facebook për parime dhe fitore imagjinare.”
Postimi shënon herën e parë që Murrizi publikon personalisht këtë video.







