Edhe pse nuk siguroi një mandat deputeti në zgjedhjet e 11 majit, Myslim Murrizi nuk e sheh veten jashtë skenës politike për shumë gjatë. Në një postim në rrjetet sociale, politikani demokrat deklaron me bindje se në shtator do të jetë pjesë e Kuvendit të ri.
“Pas hedhjes në sistem të qendrës së votimit nr. 1531/00 që mungonte në të dhënat e KQZ-së, numri i votave të mia shkoi në 7289. Jam i treti në listën e PD-së, dhe i katërti në listën e përbashkët me Partinë e Lirisë. Deri në 10 shtator do të ketë zhvillime të papritura, edhe pse disa, si znj. Hajdari, nuk e besojnë,” shkruan Murrizi.
Ish-deputeti, që kandidoi në koalicionin opozitar PD-ASHM, nuk arriti të kalonte pragun për t’u zgjedhur, megjithëse grumbulloi mbi 7 mijë vota personale. Megjithatë, ai lë të kuptohet se ka lëvizje në horizont që mund të ndryshojnë renditjen e emrave në listë.
“Kur thashë publikisht se 7289 qytetarë do të kenë përfaqësuesin e tyre në Parlament, nuk flisja nga dëshira apo delirantizmi si ca të tjerë që ëndërrojnë vota nga përkrahja e ‘kryetarëve’ që s’kanë peshë as në degët e partisë së tyre. Unë fushatën e bëra me qytetarët, pa 'vd-collë', pa kafe me ‘udhëheqës’, pa paparacë nga pas.”
Në fund të reagimit, Murrizi paralajmëron një verë politike të nxehtë, me zhvillime që, sipas tij, do të habisin edhe më skeptikët:
“Eh sa ujëra do të rrjedhin këtë verë… Sa do habiten të gjithë hajdaret e hajdareshat që mashtrojnë veten se dinë çdo gjë.”
Mbetet për t’u parë nëse do të ketë lëvizje në listat fituese të koalicionit dhe nëse ndonjë dorëheqje apo shkëputje do t’i hapë rrugën Murrizit për një tjetër hyrje në Parlament. Versus.al







