Shqipëria ka shprehur interes të madh për të marrë punëtorë të huaj nga Bangladeshi për të përmbushur nevojat në rritje të tregut të punës për shkak të emigrimit masiv të shqiptarëve.
Kërkesa është bërë nga vetë presidenti Bajram Begaj i cili gjatë një takimi që pati me kryeministrin e qeverisë teknike të Bangladeshit, Muhammad Yunus i kërkoi punëtorë për kompanitë në Shqipëri.
“Na duhen punëtorë për vendin tonë dhe disa kompani shqiptare kanë paraqitur tashmë kërkesat për të punësuar qytetarë nga Bangladeshi,” u shpreh Presidenti Begaj.
Madje më tej në takim, Begaj tha se partneriteti mes dy vendeve mund të rritej edhe më shumë në fushën e turizmit duke parë se riviera shqiptare është tërheqëse edhe për vizitorët nga Bangladeshi.
Yunus mirëpriti iniciativën, duke theksuar se Bangladeshi me fuqinë punëtore në moshë të re dhe dinamike, është i gatshëm të kontribuojë në rritjen ekonomike të Shqipërisë.
Ai gjithashtu kërkoi lehtësim të procedurave të vizave, duke theksuar se aktualisht qytetarët nga Bangladeshi duhet të udhëtojnë deri në Nju Delhi për të aplikuar për vizë shqiptare. Në këtë drejtim, Presidenti Begaj bëri me dije se Shqipëria po shqyrton mundësinë e vendosjes së vizave elektronike (e-visa) për qytetarët e Bangladeshit.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit institucional, përfshirë vizitat zyrtare në nivele të larta, për të avancuar bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve. Ndërkohë, ministri bangladeshas për Mirëqenien e Emigrantëve, konfirmoi gatishmërinë e Bangladeshit për të ofruar një gamë të gjerë fuqie punëtore, nga mjekë dhe infermierë, te punëtorë fabrikash dhe bujqësie.
Begaj nënvizoi rëndësinë e nënshkrimit të një memorandumi mirëkuptimi mes dy vendeve, për të lehtësuar dhe formalizuar procesin e rekrutimit. Presidenti bëri gjithashtu të ditur se universitetet shqiptare janë të gatshme të mirëpresin studentë nga Bangladeshi, përmes skemave ekzistuese të pranimeve ndërkombëtare. Versus.al







