Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), e cila vendosi të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj tij.
Në një postim në rrjetet sociale, Meta u shpreh se nuk është aspak i habitur nga ky vendim, duke e cilësuar si të diktuar nga “tribunat e Rilindjes”. Ai shtoi se do ta çojë çështjen e tij në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.
Ndërkohë, Meta njoftoi se nesër do të mbajë një konferencë për shtyp live nga burgu, përmes telefonit të zëdhënësit të tij, Tedi Blushi, dhe i ftoi gazetarët të dërgojnë pyetjet e tyre.
Postimi i plotë i Metës:
Asnjë çudi nga drejtësia me regji ku SPAK përgjon gjykatat dhe ku afërmendsh akuzat formulohen nga tribunat e "Rilindjes".
Ne do ta çmontojmë këtë farsë hap pas hapi dhe do ta shpartallojmë në Gjykatën e Strasburgut por edhe në debatin publik.
Ndaj ndiqni sot në ora 17:30 argumentat e mia kryesore kundër pretendimeve qesharake të akuzës, nga Sekretari i Përgjithshëm, z.Tedi Blushi.
Nesër në ora 11:00 përmes telefonit të z.Blushi i ftoj të gjithë gazetarët të më adresojnë pyetjet e tyre për të zhvilluar së bashku një konferencë për mediat live.
Nuk ka fuqi që i mbyt të vërtetat e Ilir Metës dhe kauzat e Partisë së Lirisë. /Versus.al/







