
Tirana pritet të jetë nesër në qendër të zhvillimeve politike, teksa Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet në seancën e fundit plenare dhe paralelisht është paralajmëruar një protestë qytetare përpara godinës së Parlamentit.
Seanca do të zhvillohet në orët e paradites, ndërsa deputetët pritet të diskutojnë për caktimin e anëtarëve zëvendësues në komisionet parlamentare.
Në të njëjtën kohë, organizatorët e protestës kanë bërë thirrje për mobilizim qytetar, duke kërkuar pjesëmarrje përballë Kuvendit.
Tubimi vjen pas protestës së 23 korrikut, e cila u shoqërua me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë, ndërsa pati edhe momente të vështira gjatë hyrjes së deputetëve në ambientet e Parlamentit të cilët u goditën me vezë nga protestuesit.
Përballë kësaj situate, Policia e Shtetit ka nisur përgatitjet dhe ka marrë masa shtesë sigurie për të garantuar zhvillimin normal të seancës plenare dhe ruajtjen e rendit publik në zonën përreth Kuvendit./Versus.al

