Kryeministri Edi Rama vijon me rubrikën e nisur prej ditësh me komentuesit në rrjetet sociale, këtë herë duke kthyer përgjigjie mbi një rast lidhur me e-Albania-n.
Komentuesja i shprehet në koment kreut të qeverisë se ka hasur vështirësi dhe vonesa të shumta për të marrë një çertifikatë. Vetë Rama thotë në video se është interesuar për rastin e saj dhe se rezulton që ajo të ketë marrë çerfitikatë 4 herë, aq sa e ka kërkuar.
“E nderuar zonjë, më bëri përshtypje komenti juaj dhe u interesova pranë e-Albania. Rezulton se ju keni aplikuar katër herë për certifikatë familjare dhe në të katërta rastet e keni marrë automatikisht. Nuk rezulton që të keni aplikuar ndonjëherë për ndonjë shërbim tjetër në e-Albania. Pse e bëni ju këtë, unë s’dua të komentoj, por meqë më jepet rasti nga komentet në postimin e Diellës, e krijuar në laboratorin tonë të Inteligjencës Artificiale për të ndihmuar me zë dhe figurë qytetarët në shërbimet e e-Albania, po ju informoj: sot ofrohen 1247 shërbime publike përmes e-Albania. 95% e shërbimeve publike, që deri dje nuk merreshin pa pritur në radhë”- tha Rama. Versus.al








