
Kreu i qeverisë, Edi Rama zhvilloi sot një takim me kandidatët për deputetë të PS në Vlorë. Në fjalën e mbajtur, ai u shpreh se me kandidatët aktualë, beson se do të arrihet një rezultat shumë i mirë në zgjedhjet e 12 majit në këtë qark.
“Besoj se këtë herë do marrim një rezultat edhe më të mirë, do dalim përtej atij volumit me të cilin jemi mësuar dhe do t’ju japim mundësinë shumë qytetarëve që deri dje kanë qenë simpatizantë të punës që ne mund të kemi bërë, por kanë qenë të ftohtë në zgjedhje për shkak të mospërmbushjes së kërkesave të tyre për ata që e përfaqësojnë Vlorën këtu”- tha Rama.
Më tej ai nuk i kurseu kritikat për deputetët aktualë të qarkut të Vlorës duke veçuar Vullnet Sinën. Sipas Ramës deputetët socialistë të këtij qarku, nuk i janë gjendur pranë qytetarëve duke mos dhënë shembull të mirë.
“Fakti që në të gjithë skuadrën e re, kemi vetëm një deputet që është aktualisht deputet, Vullnet Sina. Një deputet i lidhur me zonën dhe njerëzit. Erdhi dhe më tha kryetar këtu mbaron misioni im sepse besoj kam bërë gjithçka kam mundur, por nga ana tjetër, besoj se nuk e kam me tapi këtë punë dhe ta marrin të tjerët. Por përtej Vullnetit, na është dashur për t’I bërë një ndryshim total të skuadrës. Për t’ju thënë se ne e kuptojmë se çfarë na ka munguar neve për të na dhënë një mbështetje siç e kemi synuar. Deputetë që i konsideroj miq, por nuk kanë rrezatuar asgjë në raport me çfarë duhet të rezatonin këtu. Nuk kanë krijuar dot me njerëzit atë sinergji duke iu gjendur pranë e duke iu qarë hallin edhe kur nuk ua zgjidhin dot. Për këtë më vjen keq. Se çfarë ndodh këtu dhe si sillemi ne në këtë qytet, rrezaton edhe në qytetet e tjera. Më vjen keq që nuk kemi dhënë një shembull siç duhet”- deklaroi kryeministri.
Një veçim e pati edhe për Damian Gjiknurin i cili kandidon në listën e hapur të qarkut, duke thënë se nuk i kishte kritikat për të pasi ai ka qenë i angazhuar në Tiranë.
“Nuk kam parasysh këtu Damianin, sepse nuk është deputet i zonës, por i angazhuar në Tiranë me shumë detyra. Por kam parasysh përfaqësuesit e komunitetit këtu, që duhet të rrinë këtu dhe t’u gjenden pranë njerëzve. Dua të besoj se duke filluar nga ata në listën e mbyllur, do jenë pika referimi në qytet për njerëzit”- shtoi Rama. Versus.al







