Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka dhënë një intervistë për median greke “Liberal” ku ka deklaruar se Shqipëria përveç pozicionit gjeostrategjik, nuk plotëson asnjë kriter tjetër për t’u anëtarësuar në BE.
“Nuk ka asnjë lidhje me kriteret e kërkuara për anëtarësim në BE. Të gjitha të tjerat, përveç kritereve gjeopolitike dhe gjeostrategjike, nuk plotësohen”- tha Berisha mes të tjerash.
Theksin e vuri tek arrestimet e SPAK ndaj liderëve të opozitës, Berisha tha se një vend ku media kontrollohet nga pushteti që vendos edhe për mbylljen e TikTok, nuk ka sesi të jetë gati për të qenë pjesë e BE.
“Një vend që arreston tre liderë opozitarë në një vit zgjedhor, një vend që merr urdhra duke kontrolluar gjykatat kundër kundërshtarëve politikë, një vend që kontrollon pamëshirshëm median dhe deklaron se do të mbyllë rrjetet sociale si TikTok, një vend që ka të burgosur, një sistem drejtësie politike dhe pa procese të drejta ligjore”- shtoi kryedemokrati.
Sa i takon marrëdhënieve mes dy vendeve, Berisha tha se që pas ardhjes në pushtet të Edi Ramës, pati një përkeqësim duke nisur nga largimi i kompanive private.
"Në një kohë kur, para vitit 2013, kompanitë greke, italiane, gjermane dhe amerikane ndërtonin projekte madhore dhe fitonin konkurse ndërkombëtare. Absolutisht asnjë nuk u favorizua nga Sali Berisha, por ata fituan në mënyrë transparente dhe me meritë të tyre dhe bënë një punë të shkëlqyer. Ata u larguan. Jo vetëm që u larguan, por disa prej tyre patën mosmarrëveshje ligjore me këtë qeveri për shkak të abuzimeve të qeverisë"- deklaroi Berisha. Versus.al








