
Kryedemokrati Sali Berisha nuk u paraqit sot në SPAK për t’u pyetur si person në dijeni për 21 janarin, pavarësisht se mediat pretendojnë se fletëthirrja i është dërguar për herë të dytë.
Berisha mohoi sërish që një fletëthirrje e tillë të ketë mbërritur në banesën e tij. Sipas tij, e gjithë kjo çështje po bëhet për të hequr vëmendjen nga skandalet e qeverisë.
“E kam deklaruar, e kam faktuar se unë i përgjigjem çdo thirrje të gjykatës, të prokurorisë speciale, të prokurorisë jospeciale, të kujtdo qoftë, nuk ka asnjë lloj lëkundje nga unë në këtë qëndrim dhe nuk mund të ketë kurrë.
Së dyti, ata që e fusin veten për të krijuar, e bëjnë veten bashkëpunëtorë në një propagandë banale, të turpshme, as nuk kanë fytyrë, as nuk kanë moral, as nuk kanë ligj. Sepse posta kur niset, ligji është, dorëzohet. Atij që i dorëzohet, i merret firma. E mora, thotë.
Dhe unë, kudo, qoftë në seli, qoftë aty ku banoj, kam njerëz të përgjegjshëm, të cilët kurrë nuk mund të ndodhë të firmosin për një dokument që adresohet tek unë dhe të mos ma japin. Por kjo i intereson Altin Troplinit, i cili e shndërron atë institucion, i jep standardet e tij morale. Sa është sot data? Sot është data 14. Nga data 3 që pretendohet, deri me datën 14, ai dokument mund të vinte 5 herë në zyrën time, në shtëpinë time apo në parlament. Dhe nuk ka ardhur askund”- tha Berisha.
Lidhur me vrasjen e 4 protestuesve më 21 janar, 2011 Berisha përsëriti edhe njëherë se ai ka kërkuar rihetim të plotë, por kjo gjë u pengua nga vetë Edi Rama.
“Unë publikisht kërkova prokuror ndërkombëtar dhe një prokuror ndërkombëtar erdhi. Pjesa e tretë, të supozojmë për një moment se unë nuk doja hetimin. Nga viti 2013 kanë kaluar 12 vite dhe ai hetim nuk u bë sepse ai hetim nxjerr përgjegjës kryesor për protestën më të dhunshme në historinë e vendit, direkt Edi Ramën.
Nxjerr falsifikimin dhe mashtrimin publik që bëri me videon me Filip Çakullin. Nxjerr projektin e tij që ose ik, ose mund të kalohet edhe mbi kufoma. Po prandaj nuk bëhej hetimi, sepse besoj se 13 vite, PD dhe unë nuk kemi pasur asnjë lloj autoriteti”- shtoi ish-kryeministri. Versus.al

