POLITIKË /

“Nuredin Dumani pjeshkëron nga qelia me kë i do qejfi”, Salianji-Ballës: Ke përgjegjësi që vrasësi më i rrezikshëm vepron nga burgu

Salianji i tha Ballës se pezullimi i dy policëve për shfaqjen e Nuredin Dumanit nga burgu 313, nuk e heq përgjegjësinë e tij dhe të drejtuesve të policisë për faktin që një prej vrasësve më të rrezikshëm shijon lukset e ofruara në qelinë ku mbahet i burgosur.

Shkruar nga Versus
“Nuredin Dumani pjeshkëron nga qelia me kë i do qejfi”,
Salianji dhe Balla në komisionin e Sigurisë, (foto e Nuredin Dumanit me lidhje skype nga qelia)

Vrasësi me pagesë Nuredin Dumani i cili mban edhe statusin e "të penduarit të drejtësisë", ka qenë temë diskutimi gjatë mbledhjes së sotme në Komisionin e Sigurisë ku ministri Taulant Balla prezantoi projektligjin për “policinë e shtetit” që u miratua në parim me votat e mazhorancës.

Pas zhvillimeve të fundit, ku u mësua se Nuredin Dumani bënte jetë “luksoze” në qeli dhe mund të ketë porositur shpërthimin me tritol në banesën ku jetonin me qira motrat Nikolli, deputeti Ervin Salianji i kërkoi llogari ministrit Balla sa i takon neglizhencës së policisë për rastin e Dumanit.

Ai tha se nuk mund të ketë besueshmëri tek policia kur një prej vrasësve më të rrezikshëm, i cili është shpallur edhe i penduar i drejtësisë shfaqet në internet nga qelia ku bën jetë “luksi”.

Nga ana tjetër, ministri nuk i dha përgjigjie direkte për Dumanin por bëri një koment të përgjithëm rreth përshtypjeve të turistëve të huaj për sigurinë në vend.

Pjesë nga debati në komision:

Ervin Salianji: Të ka thënë drejtuesi i Spak që dekonspirohen operacione, grup i fuqishëm tha drejtuesi i SPAK. Bënin namet në Belgjikë, Holandë, t’ju bëj një pyetje të drejtpërdrejtë del Nuredin Dumani që duhet të ruhet nga njësia, që pjeshkëron 24 orë me kë i do qejfi e vendos gjoba. Keni ju ministër përgjegjësi, pse me pezullimin e dy policëve, ata e kanë lejuar të bëjë atë që bën?! Pastaj këto aplikacionet e Sky që porosisin vrasje sikur porosisin pica. E keni ju përgjegjësinë sepse ai është dëshmitar i mbrojtur. Vijmë dhe flasim për besueshmërinë te policia. Po si të kenë besueshmëri, kur lajmërohet policia e shtetit kur ka vjedhje, vijnë pas shumë orësh?

Taulant Balla: Gjatë prezantimit që bëmë në fillim të seancës, për 50 minuta prezantuam para jush cilat kanë qenë gjetjet që çuan në nevojën e ndryshimeve. Unë e kuptoj se kjo punë iu duket shaka, dhe nuk keni faj se keni kohë të gjatë në opozitë dhe kohë e gjatë iu pret përpara. Por sa i takon sigurisë, iu jap një indikator, çdo qytetar të cilin e pyesin dhe i thonë çfarë iu ka bërë përshtypje në Shqipëri, gjëja e parë që thonë është “siguria”.  Sa i takon raporteve, mendoj se duhet lexuar kush është autori i raportit, si quhet raporti. Kush është data e publikimit të raportit dhe më pas shkojmë dhe te faqja. Tani na e jepni votën që të ecim përpara me ecurinë proceduriale të këtij projektligji.

Ervin Salianji: Nuk më dhatë përgjigjie për një shqetësim që ju e quajtët shaka por është një ndër ngjarjet më të rënda që ka ndodhur. A është Dumani në dëshmitarët e mbrojtur dhe si ka mundësi që nga burgu kryen aktivitet ? A keni marrë masa që ndodhin këto gjëra në Shqipëri që një personazh ndër më të rrezikshmit ka aksese dhe mundësi e salltanete, komunikon

Thoni se keni rritur pagën e policëve, por paga është rritur nga 6 mijë lekë deri në 9 mijë lekë të reja. Mendojeni ju që u rriten pagat nga 50 mijë lekë. Për ligjin mendoj se duhet ta tërhiqni sepse për ju nuk është se ka ndonjë nevojë përveçse t’i vendosni nën presion drejtuesit e policisë. Shtyjeni miratimin e këtij ligji pasi duket se bëhet për t’i vendosur nën trysni efektivët e policisë.

Projektligji për policinë e shtetit që u miratua sot në parim pritet të kalojë për votim në Kuvendin e Shqipërisë. Në rast miratimi, hyjnë në fuqi nenet e reja që sipas Ballës do të ndihmojnë efektivët e rinj që të bëjnë një karrierë dinjitoze në institucionin e policisë së shtetit. Versus.al

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: