Drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili nga njësia nr. 8 e ironizoi duke thënë se mezi e kishte zgjuar “Lulin”. Rama shtroi gjithashtu pyetjen se kush ishte kandidati i Bashës në atë zonë, por përgjigjja nga kreu i Koalicionit Euroatlantik nuk vonoi, duke ardhur përmes një videoje të publikuar në Facebook.
Me ironi, Basha i kthehet Ramës duke i thënë se ka mbetur duke kërkuar shokët e tij, por i ka mbetur vetëm “bufi”. Sipas Bashës, Rama dhe “bufi” (duke iu referuar Sali Berishës) janë bërë të pandashëm.
“E ngjalla Lulin, mezi e ngjalla. Tani Luli ka potencial. I thosha dhe atyre dje, nuk kanë për ta përsëritur më rezultatin që bëri Luli në 2021. Nuk e kapin më. Ai thotë mi vodhën, por nuk e kapin më. Ka qenë PD më e organizuar në territor, s’ka qenë ndonjëherë më parë dhe s’do të jetë më. Se janë kaotikë. Me Euroatlantikët kam frikë… Ku e ka gjet këtë emrin Euroatlantikë?”, u shpreh Rama.
Ndërkohë, Basha iu përgjigj: “O Rama, na nxorre gjumin te lagjja ime e vjetër! Po kush është kandidati? Pëllumb Seferi, more Rama! E njeh mirë ti, ta hoqi skalpin në 2021. E mo Rame, mos Rame, mbete duke pyetur për shokët e mi. S’ke faj more burrë, gjithë shokët e tu 7x7=313. Të ka mbetur vetëm një shok, bufi. Vdes për bufin ti, o Rame! Ti dhe bufi, bufi dhe ti, jeni të pandarë. Hajde Rame, hajde, se lidhemi nesër për më shumë”, u shpreh Basha në videon e tij. /Versus.al/







