
Ashtu siç e kishte paralajmëruar, opozita nuk mori pjesë në mbledhjen e konstituimit të komisionit të Posaçëm Antikorrupsion të drejtuar nga Fatmir Xhafa. Ky i fundit u shpreh i keqardhur për mungesën e opozitës dhe solli në kujtesë një bojkot të ngjashëm që ata i kishin bërë komisionit në 2014-ën.
“Për fat të keq edhe për shkak të përvojës së gjatë në Kuvend kjo situatë e sotme më sjell në kujtesë një situatë të ngjashme kur në 2014-ën filloi veprimi për komsionin e posaçëm në drejtësi. Opozita pavarësisht se e kishte votuar komisionin, nuk mori pjesë në konstituimin e tij. Reflektuan me vonesë. Koha tregoi se ata gabuan atëherë dhe kjo u kushtoi shumë edhe elektoralisht. Shpresoj që sa më shpejt ta kemi opozitën mes nesh. Procesi duhet të ecë përpara me gjithëpërfshirjen dhe kontributin e faktorëve dhe aktorëve të mundshëm të shoqërisë civile, botës akademike”- u shpreh Xhafaj ndër të tjera.
Ai theksoi se do u jepet përgjigja e duhur atyre të cilët kanë spekuluar se komisioni i ngritur ka qëllim të kufizojë punën e SPAK-ut.
“Do u japim përgjigjien e duhur të gjithë atyre që kanë spekuluar lidhur me qëllimin e këtij komisioni”- shtoi deputeti duke nënvizuar se do të ketë tryeza me shoqërinë civile për veprimtarinë e komisionit antikorrupsion.
E pranishme në mbledhjen e parë të konstituimit të komisionit, ishte edhe kryeparlamentarja Lindita Nikolla e cila nënvizoi se komisioni i formuar nuk ka asnjë interes politik apo partiak duke bërë thirrje që opozita të reflektojë dhe të bashkohet në mbledhjet e ardhshme.
Të njëjtën thirrje e pati edhe ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali e cila la të nënkuptohej se ftonte për dialog opozitën duke deklaruar se “debatet politike janë të përkohshme”, teksa bëri thirrje për qasje institucionale në përparimin e procesit të anëtarësimit në BE. Versus.al







