Deputeti socialist, Plarent Ndreca ka kryesuar sot mbledhjen e Komisionit hetimor të Sterilizimit edhe pse opozita ka bojkotuar mbledhjen duke mos u paraqitur në seancën ku po pyeten dëshmitarët e përfshirë në dosjen e koncesionit të Sterilizimit.
Në nisje të fjalës së tij, Ndreca tha se mbledhja ishte dakordësuar edhe me opozitën për t’u zhvilluar ditën e sotme ndërsa tha se do të vijohej me zbatimin e procesverbalit me dëshmitarin e thirrur Gentjan Bejtja i cili ka qenë anëtar i komisionit të dhënies me PPP të Sterilizimit.
Nga ana tjetër, kryetarja e komisionit Albana Vokshi ditën e djeshme i ka dërguar një mesazh deputetit socialist Plarent Ndreca ku i kërkon të ndalojnë punimet e komisionit, në një situatë të tillë kur opozita ka bojkotuar komisionin.
Mesazhi që Vokshi i ka dërguar Ndrecës:
Z. Ndreca, eshte anormale dhe e pakuptimtë kjo qe ti dhe deputetët e maxhorancës po bëni.
Kam dhënë mirëkuptimin që të bëhen mbledhje normale sipas procedurave të përcaktuara e të praktikuara deri tani, jo si këto që sapo bëtë.
Kërkova të mos e bëje mbledhjen pa dëshmitarë sepse të gjithë e dini që s do vijë asnjë sot, sepse s ka konfirmime. . . Edhe pse po i përndiqni mjekët pa fund sikur të jenë ata fajtorët… Nuk kuptoj ku po shkoni!!! Duhet të tregojmë pak respekt për ata që i keni kolege e kanë një jetë në mjekësi.
Nuk arrij të kuptoj ju deputetët e tjerë të maxhorancës që rrini me orë duke pritur nëse shfaqet një mjek i nderuar në derën e parlamentit… sepse kështu ju jepet një urdhër …
Ne refuzojme të jemi pjesë e lësaj farse.
Degjesat do behen vetëm me ata që kanë qenë pjesë e procesit, procedurave.
Ne nuk i njohim këto mbledhje që po beni.
Janë NUL!
Opozita e ka bërë të qartë se nuk do të vijojë jetën parlamentare normale pa u formuar një qeveri teknike. Për këtë qëllim që prej ditës së djeshme kanë rikthyer dhunën dhe kaosin në Kuvend, për të kulmuar më 7 tetor kur edhe kanë thirrur protestë kombëtare kundër qeverisë. Aksioni opozitar 'u ndez' pas dënimit me 1 vit burg dhe arrestimit të Ervin Salianjit, të cilit dje iu hoq edhe mandati i deputetit. Versus.al








