Nga sot kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe deputetja Monika Kryemadhi nuk janë më të martuar. Gjykata e Tiranës vendosi sot zgjidhjen e martesës me pëlqimin e dy palëve.
Meta i cili ndodhet i arrestuar që prej tetorit të vitit të kaluar, u transportua në gjykatë me furgon policie, ndërsa Kryemadhi nuk ishte e pranishme në gjykatë pavarësisht se ishte njoftuar, duke mos dhënë asnjë shkak ligjor për mungesën e saj.
Gjykata firmosi miratimin e kërkesës së dorëzuar nga Ilir Meta më 20 qershor të vitit 2024, kur edhe shprehej se marrëdhënia mes tyre kishte arritur në një pikë që nuk funksiononte më.
Sipas Metës ndarja mes tyre u bë e pashmangshme edhe si pasojë e zhvillimeve politike dhe veprimeve të Kryemadhit pa konsultimin e tij. Ndërsa dy javë më parë edhe pse në proces divorci, deputetja e uroi Metën për ditëlindje duke bërë thirrje që qytetarët e Tiranës ta votojnë si deputet në listën e hapur ku garon më 11 maj.
Kryemadhi dhe Meta u martuan në një cermoni të fshehtë në tetor të vitit 1998 në kohën kur kreu i PL, ishte zëvendës kryeministër. Në ceremoninë në gjendjen civile, të pranishëm ishin edhe deputeti Erion Braçe, këshilltari i Metës, Mustafa Muçi dhe për çudi edhe ambasadori zviceran në atë kohë në Shqipëri.
Vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë
“Zgjidhjen e martesës ndërmjet paditësit I. M. dhe të paditurës M. K., pa u përcakuar fajësia.
• Urdhërohet sekretaria gjyqësore që një kopje të këtij vendimi pas marrjes formë të prerë t’ia dërgojë për regjistrim Zyrës së Gjendjes Civile Njësia Administrative nr__, Bashkia Tiranë për të bërë ndryshimet në rregjistrat e saj.
• Lëshimin e urdhërit të ekzekutimit për këtë vendim, i cili ekzekutohet nga shërbimi përmbarimor.
• Shpenzimet gjyqësore në ngarkim të të dy palëve në mënyrë të barabartë, që përfshijnë tarifën e regjistrimit dhe aktet e njoftimit, ndërsa shërbimi i avokatisë mbetet në ngarkim të palës që e ka zgjedhur.
• Kundër vendimit palët kanë të drejtën e ankimit në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, brenda 15 ditëve, duke filluar ky afat nga dita e nesërme e komunikimit të vendimit të arsyetuar./Versus.al








