Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) ka vendosur të zgjerojë procesin e rinumërimit të kutive të votimit, duke përfshirë tashmë edhe qarkun e Fierit. Vendimi i KAS vjen me kërkesë të 2 anëtarëve të PD-së, ku pritet të rinumërohen votat e partive dhe kandidatëve në Qarkun e Fierit
Pas vendimit për rinumërimin e 1,232 kutive në Tiranë, KAS ka urdhëruar sot rinumërimin e 587 kutive të votimit në këtë qark.
Vendimi vjen pas ankesave të paraqitura nga disa subjekte politike, të cilat pretendojnë parregullsi gjatë procesit të numërimit të votave në zgjedhjet e fundit. KAS pranoi se kishte indicie të mjaftueshme për të vendosur hapjen e kutive dhe verifikimin e rezultatit.
Procesi i rinumërimit pritet të nisë brenda pak ditësh dhe do të zhvillohet në një qendër të posaçme nën mbikëqyrjen e përfaqësuesve të partive politike, vëzhguesve ndërkombëtarë dhe institucioneve përkatëse.
Ky zhvillim pritet të zgjasë më tej procesin e përfundimit zyrtar të rezultateve dhe të shtojë tensionin politik mes palëve, të cilat kanë rritur retorikën lidhur me besueshmërinë e zgjedhjeve. KAS ka dhënë një afat 10 ditor për përfundimin e rinumërimit në Tiranë dhe Fier. Versus.al







