
Krerët e politikës shqiptare kanë uruar sot për 17 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Presidenti Bajram Begaj shprehu nderim për dëshmorët që dhanë jetën për lirinë e vendit, ndërsa falenderoi ndërkombëtarët për mbështetjen e Kosovës.
“Urime Ditën e Pavarësisë, Kosovë! Nderim përjetë mijëra burrave dhe grave që sakrifikuan për lirinë e pavarësinë! Faleminderit të gjithë miqve e aleatëve tanë që janë krah teje! Gëzuar!”- shkruan presidenti në rrjetet sociale.
Edhe kreu i qeverisë Edi Rama zgjodhi ta shprehë urimin në rrjete sociale.
“MIRËMËNGJES KOSOVË. Gëzuar pavarësinë dhe mbarësi gjithmonë”- shkroi ai.
Ndërsa kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta i cili mbahet i arrestuar prej 4 muajsh, zgjodhi ta urojë pavarësinë duke publikuar edhe e shoqëruar me foto ku shfaqej krah Ibrahim Rugovës.
“Gëzuar Ditën e Pavarësisë Kosovë e dashur! Forcohesh çdo ditë si faktor i rëndësishëm paqeje, sigurie dhe stabiliteti në rajon, shembull i shkëlqyer i funksionimit të demokracisë, shtetit ligjor dhe garantimit të votës së lirë.
Partia e Lirisë është e vendosur për të mbrojtur pavarësinë e integritetin territorial të Kosovës, si dhe të mbështesë procesin e njohjeve dhe anëtarësimin e saj në gjithë organizatat rajonale dhe në OKB. Urimet më të përzemërta vëllazërore!”-shkruan Meta. Versus.al








