POLITIKË /

PD kërkon dorëheqjen e Ramës dhe Ballukut pas vendimit të GJKKO për tunelin e Llogarasë

GJKKO la në fuqi 2 masat për Ballukun, PD del me deklaratë: Rama urdhërues i aferës 50 mln euro të tunelit të Llogarasë, kërkojmë dorëheqjen e të dyve menjëherë, rrezikojnë të prishin provat

Shkruar nga Versus

PD kërkon dorëheqjen e Ramës dhe Ballukut pas vendimit të

Partia Demokratike ka reaguar ashpër pas vendimit të GJKKO-së për Belinda Ballukun, duke kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Edi Rama dhe të zv/kryeministres. Balluku u pezullua nga detyra dhe i u bllokua pasaporta, për aferën e tunelit të Llogarasë me vlerë 190 milionë euro.

Në një deklaratë zyrtare, PD e konsideron takimin 7-orësh të së mërkurës në Kryeministri, i zhvilluar pas vendimit të gjykatës, si një përpjekje të qartë për të shmangur përgjegjësitë penale dhe për të mbrojtur, sipas saj, organizatoret e skandaleve me qindra milionë euro.

Opozita thekson se zbardhja e plotë e këtyre aferave kërkon largimin e menjëhershëm të dy zyrtarëve të lartë, për të mos ndikuar në hetimet dhe për të garantuar drejtësinë.

PD kërkon dorëheqjen e Ramës dhe Ballukut pas vendimit të
Deklarata
Takimi 7-orësh i së mërkurës në Kryeministri, menjëherë pas vendimit të Gjykatës për pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres, i cili u shoqërua me akuza dhe presione të ndërsjella mes Ramës dhe Ballukut, nuk ishte asgjë më shumë se një mbledhje tipike mafiozësh për gjetjen e një rrugëdaljeje dhe shpëtimin e Edi Ramës nga ndjekja penale.

Kundërshtimi i tij për të shkarkuar Belinda Ballukun, duke u fshehur pas spërdredhjeve të jurisprudencës, të cilat në të vërtetë nuk i kupton, nuk është gjë tjetër veçse përçartje për të fshehur një të vërtetë që tashmë është e qartë si drita e diellit: urdhëruesi për vjedhjen e 50 milionë eurove në Tunelin e Llogarasë ka një emër, dhe ai është Edi Rama.

Ky individ është përgjegjës direkt edhe për vjedhjen me termocentralet e Vlorës Tigri 1 dhe Tigri 3, Unazën e Madhe, koncesionet prej qindra milionë eurosh të rrugëve dhe për çdo akuzë tjetër me të cilën po përballet ekzekutuesi, por jo urdhëruesi.

Me qëllim zbardhjen e të vërtetës dhe vendosjen e përgjegjësve para drejtësisë, Partia Demokratike kërkon dorëheqjen e Edi Ramës dhe Lubi Ballukut, dhe vënien e tyre para drejtësisë, duke u hequr mundësinë të ndikojnë apo të prishin provat. Kjo duhet t’u hapë rrugën zgjedhjeve të reja, të lira dhe të barabarta.

Partia Demokratike e akuzon Edi Ramën si njeriun që, me veprimet e tij, po përpiqet të pengojë zbardhjen e të vërtetës për një vepër penale në të cilën është në rolin e organizatorit dhe urdhëruesit.

Partia Demokratike fton qytetarët t’i bashkohen Foltores qytetaro-parlamentare përballë Kryeministrisë ditën e hënë, më datë 24, për t’i thënë ndal korrupsionit, marrjes peng të vendit dhe për dërgimin para drejtësisë të kusarëve që vodhën zgjedhjet për të vjedhur Shqipërinë.

Poll