Çfarë do të gjeni në brendësi
GJKKO la në fuqi 2 masat për Ballukun, PD del me deklaratë: Rama urdhërues i aferës 50 mln euro të tunelit të Llogarasë, kërkojmë dorëheqjen e të dyve menjëherë, rrezikojnë të prishin provat *Në mesazhet e përfshira në dosje, Balluku dhe Berberi diskutojnë gjithashtu edhe për një tjetër firmë konsulence për projektim dhe supervizim, ku Balluku thekson se është e lidhur me Lefter Gështenjën dhe përmend supervizorët tek Porto Romano. * Bisedat mes Ballukut dhe Berberit zbulojnë ndërhyrje në formimin e bashkimit fitues të tenderit. SPAK dyshon se gara për Unazën e Madhe ka qenë e kontrolluar që në nisje.
PD kërkon dorëheqjen e Ramës dhe Ballukut pas vendimit të GJKKO për tunelin e Llogarasë

Partia Demokratike ka reaguar ashpër pas vendimit të GJKKO-së për Belinda Ballukun, duke kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Edi Rama dhe të zv/kryeministres. Balluku u pezullua nga detyra dhe i u bllokua pasaporta, për aferën e tunelit të Llogarasë me vlerë 190 milionë euro.
Në një deklaratë zyrtare, PD e konsideron takimin 7-orësh të së mërkurës në Kryeministri, i zhvilluar pas vendimit të gjykatës, si një përpjekje të qartë për të shmangur përgjegjësitë penale dhe për të mbrojtur, sipas saj, organizatoret e skandaleve me qindra milionë euro.
Opozita thekson se zbardhja e plotë e këtyre aferave kërkon largimin e menjëhershëm të dy zyrtarëve të lartë, për të mos ndikuar në hetimet dhe për të garantuar drejtësinë.
Deklarata
Takimi 7-orësh i së mërkurës në Kryeministri, menjëherë pas vendimit të Gjykatës për pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres, i cili u shoqërua me akuza dhe presione të ndërsjella mes Ramës dhe Ballukut, nuk ishte asgjë më shumë se një mbledhje tipike mafiozësh për gjetjen e një rrugëdaljeje dhe shpëtimin e Edi Ramës nga ndjekja penale.
Kundërshtimi i tij për të shkarkuar Belinda Ballukun, duke u fshehur pas spërdredhjeve të jurisprudencës, të cilat në të vërtetë nuk i kupton, nuk është gjë tjetër veçse përçartje për të fshehur një të vërtetë që tashmë është e qartë si drita e diellit: urdhëruesi për vjedhjen e 50 milionë eurove në Tunelin e Llogarasë ka një emër, dhe ai është Edi Rama.
Ky individ është përgjegjës direkt edhe për vjedhjen me termocentralet e Vlorës Tigri 1 dhe Tigri 3, Unazën e Madhe, koncesionet prej qindra milionë eurosh të rrugëve dhe për çdo akuzë tjetër me të cilën po përballet ekzekutuesi, por jo urdhëruesi.
Me qëllim zbardhjen e të vërtetës dhe vendosjen e përgjegjësve para drejtësisë, Partia Demokratike kërkon dorëheqjen e Edi Ramës dhe Lubi Ballukut, dhe vënien e tyre para drejtësisë, duke u hequr mundësinë të ndikojnë apo të prishin provat. Kjo duhet t’u hapë rrugën zgjedhjeve të reja, të lira dhe të barabarta.
Partia Demokratike e akuzon Edi Ramën si njeriun që, me veprimet e tij, po përpiqet të pengojë zbardhjen e të vërtetës për një vepër penale në të cilën është në rolin e organizatorit dhe urdhëruesit.
Partia Demokratike fton qytetarët t’i bashkohen Foltores qytetaro-parlamentare përballë Kryeministrisë ditën e hënë, më datë 24, për t’i thënë ndal korrupsionit, marrjes peng të vendit dhe për dërgimin para drejtësisë të kusarëve që vodhën zgjedhjet për të vjedhur Shqipërinë.
"Mos ta shohë të marrë punë tjetër..." SMS-të e Ballukut për kompaninë e lidhur me deputetin demokrat
Në dosjen e SPAK për Belinda Ballukun, dokumentohen udhëzimet e ministres ndaj Ervis Berberit për të penguar pjesëmarrjen e disa kompanive në tenderët publikë. Një nga rastet më të qarta është ai i firmës së konsulencës “Civil Cons”, të cilën Balluku e lidh me deputetin demokrat Lefter Gështenja.
Sipas komunikimeve, më 28 tetor 2021, ministrja i kërkon Berberit që kompania të mos marrë më asnjë punë në territorin e Shqipërisë. “Mos ta shoh të marrë tjetër punë në Republikën e Shqipërisë”, urdhëron Balluku, ndërsa Berberi i përgjigjet se “është e lehtë”.
Në datën 28.10.2021, në orën 12:44, në aplikacionin "WhatsApp", shtetasja Belinda Balluku i përcjellë (forward) shtetasit Evis Berberi mesazhin "Civil Cons".
Në orën 12:44, Evis Berberi: "?". Në orën 12:44, Belinda Balluku i përcjellë (forward) shtetasit Ervis Berberi mesazhin "Ka dhe nje firme konsulence per projektim supervizim me korab alikon. Jane supervizor tek porto romanо". Në orën 12:45, Evis Berberi: "Po jane te Porto romano".
Në orën 12:45, Belinda Balluku: "Kte e ka Lefter Geshtenja, deputet I librazhdit I PD". Në orën 12:46, Evis Berberi: "Ok". Më pas, në orën 12:48, në aplikacionin "Signal Private Messenger", shtetasi Evis Berberi i dërgon shtetases Belinda Balluku mesazhin "Urgjente apo ne te ardhmen?".
Në orën 12:50, Belinda Balluku: "Jo, jo po mos ta shoh te marr tjeter pune ne rep e shqiperise". Në orën 12:50, Evis Berberi: "Eshte e lehte".
Në mesazhet e përfshira në dosje, Balluku dhe Berberi diskutojnë gjithashtu edhe për një tjetër firmë konsulence për projektim dhe supervizim, ku Balluku thekson se është e lidhur me Lefter Gështenjën dhe përmend supervizorët tek Porto Romano. Përgjigjet e Berberit dhe mesazhet e mëtejshme tregojnë qartësisht se kërkesa e ministres është marrë parasysh dhe do të zbatohet.
Nga hetimet rezulton se administratori i kompanisë është Korab Aliko, ndërsa ortak është Rezart Haxhiu. Ortakët themelues të firmës, me objekt studim dhe projektim të ndërtimeve të ndryshme, kanë qenë Korab Aliko dhe Lefter Gështenja, secili me 50% të kapitalit. Megjithatë, në vitin 2019, Gështenja është larguar nga drejtimi i kompanisë dhe i ka dhuruar aksionet e tij, duke e lënë Alikon si administrator të vetëm.
Ky rast, sipas SPAK, tregon mënyrën se si ministrja ka ushtruar ndikim në procedurat e prokurimeve, duke favorizuar ose penguar pjesëmarrjen e operatorëve të caktuar në tregun publik.
Mesazhet që zbulojnë ndërhyrjen e Ballukut / Dosja e tenderit të Unazës së Madhe e "njeriu" i Berishës
Nga dokumentet hetimore zbulohet se bashkëpunimi mes kompanisë “Nova Construction – 2012”, në pronësi të biznesmenit Ilir Shtufi (i njohur për lidhje me familjen Berisha) dhe “Euroteorema Peqin” shpk, nuk ka qenë një zgjedhje e lirë biznesi, por një bashkim "i diktuar" nga ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku.
Sipas pjesëve të dosjes të përfshira në hetimin për tenderin 20 milionë euro të Lotit 4 të Unazës së Madhe, Balluku i shkruan ish-drejtorit të ARRSH-së, Ervis Berberit:
“Prite pak Ilir Shtufin e Nova dhe bëja të qartë që shkon me EUT. Dhe mos ta shoh në vend tjetër.”
Komunikimet kyçe – Shtator 2021
Mesazhet, të nxjerra nga telefoni “Blackberry” i sekuestruar Ervis Berberit, tregojnë se bisedat janë zhvilluar në 10 shtator 2021, një muaj pasi tenderi ishte hapur dhe vetëm pak javë para se fituesit të shpalleshin zyrtarisht.
Në orën 10:46, Balluku i kërkon Berberit të vijë në zyrë. Pas takimit, në orën 13:00, ministrja i jep udhëzimin e qartë:
“Prite pak Ilir Shtufin e Nova dhe bëja të qartë që shkon me EUT. Punët i ke me Gjim, thuaj, jo me mua.”
Berberi i përgjigjet shkurt: “Ok.”
Menjëherë më pas, Berberi ka një komunikim me Shtufin:
Ilir Shtufi: “Përshëndetje… Ilir Shtufi, Nova jam. Të tak pak, m’kanë thënë kur mundesh?”
Evis Berberi: “Hajde, kalo.”
Ilir Shtufi: “Ok, 10 min.”
Pas takimit, Berberi i raporton Ballukut:
“E takova ok.”
Bashkimi i kompanive – vetëm 4 ditë më vonë
Më 14 shtator 2021, pra katër ditë pas mesazheve, Nova Construction firmos kontratën e bashkëpunimit me Euroteorema Peqin dhe PE-VLA-KU, duke krijuar bashkimin e operatorëve që më vonë, më 6 tetor, do të shpallej fitues i tenderit.
Publikimi i listës në media, Balluku kërkon “fajin”
Nga komunikimet e përfshira në dosje rezulton se Balluku u shqetësua kur një portal (Pamfleti) publikoi një listë të kompanive të dyshuara si fituese të Unazës së Madhe.
Në mesazhe, ministrja i kërkon Berberit të verifikojë një punonjëse të prokurimeve:
“Ke një Miranda tek prokurimet. Pamfleti ka të gjithë listën e kompanive fituese.”
Berberi e siguron: “Miranda s’ka dijeni për emrat. Asnjë s’e ka listën, s’ka si ta kenë.”
Ai shton se është “habitshme” si ka dalë informacioni, duke theksuar:
“Vetëm unë e di. Për çdo lot kanë marrë kriteret në letër pa emër.”
Sipas SPAK-ut, këto biseda krijojnë dyshimin se kompanitë fituese janë paracaktuar, ndërsa kriteret e tenderit i kanë hartuar vetë kompanitë e favorizuara.
SPAK: Fituesi dihej para se të dorëzoheshin ofertat
Sipas dosjes, Balluku dhe Berberi kishin dijeni për fituesit që në fazën kur ende nuk ishin dorëzuar ofertat, pasi afati për paraqitjen e tyre mbyllej më 15 shtator 2021.
Zbardhet vendimi i GJKKO: Vazhdim i masave të sigurisë për Ballukun, Gjylin dhe Elezin
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka zbardhur vendimin e marrë pas seancës së së shtunës, të zhvilluar me kërkesë të SPAK, i cili kishte kërkuar marrjen në pyetje të të pandehurve dhe verifikimin e kushteve të masave të sigurisë të caktuara më herët.
Trupa gjykuese e drejtuar nga gjyqtari Erjon Çela vendosi vazhdimin e të gjitha masave të sigurisë të vendosura më 19 nëntor 2025 ndaj zv/kryeministres Belinda Balluku dhe dy zyrtarëve të tjerë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Çfarë vendosi gjykata për Belinda Ballukun
Sipas vendimit të zbardhur, për Ballukun do të vijojnë të jenë në fuqi këto masa:
- Ndalimi i daljes jashtë shtetit
- Pezullimi nga ushtrimi i detyrës publike, si Zv/Kryeministre dhe Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë
Të dyja masat janë parashikuar në nenet 233 dhe 242 të Kodit të Procedurës Penale dhe do të vijojnë të zbatohen deri në një vendim të ri të gjykatës.
Masat e sigurisë për Gentian Gjylin
Gjykata konfirmoi gjithashtu: Vazhdimin e masës “arrest në shtëpi”
Kjo masë është vendosur gjithashtu më 19 nëntor 2025 dhe mbetet e pandryshuar.
Masat e sigurisë për Erald Elezin
Edhe për Erald Elezin, gjykata vendosi: Vazhdimin e masës “arrest në shtëpi”
Saktësimin e adresës së banimit, me detyrimin që i pandehuri të mos largohet nga banesa e tij
Ky saktësim është bërë për të garantuar zbatimin e plotë të masës shtrënguese.
Urdhrat për institucionet dhe e drejta e ankimimit
Gjykata urdhëron Prokurorinë e Posaçme dhe policinë gjyqësore të marrin të gjitha masat për zbatimin e vendimeve të mësipërme.
Kundër këtij vendimi, palët kanë të drejtë të bëjnë ankim brenda 5 ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
NJOFTIMI I PLOTE
Kërkuesi Prokuroria e PosaçMe kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 21.11.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Marrja në pyetjedhe verifikimi i kushteve dhe kritereve të zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues dhe ndalues, caktuar me vendimin Nr. 118, datë 19.11.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj të pandehurve Belinda Balluku, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi”.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, me vendimin 120, datë 22.11.2025, vendosi: Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe masës së sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, (si Zv.Kryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë), të parashikuara nga nenet 233 dhe 242 të K.Pr.Penale, ndaj të pandehurës Belinda Balluku, të caktuara me vendimin nr. 118, dt. 19.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, ndaj të pandehurit Gentian Gjyli, e caktuar me vendimin nr. 118, dt. 19.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, ndaj të pandehurit Erald Elezi, e caktuar me vendimin nr. 118, dt. 19.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Saktësimin e adresës së zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi” duke urdhëruar të pandehurin Erald Elezi që të mos largohet nga banesa e tij që ndodhet në qytetin e me adresë:
Urdhërohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe shërbimet e policisë gjyqësore për zbatimin e këtij vendimi. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar brënda 5 ditëve, nga njoftimi i vendimit të gjykatës.
“Kur një pushtet hyn tek territori i tjetrit, Kushtetuta mbytet”, Rama ndan fjalimin e kryeprokurorit legjendar amerikan

Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë sot në rrjetet sociale fjalimin e Robert H.Xhekson i cili konsiderohet si “kryeprokurori legjendar i Amerikës”. Teksa shpreh përshtypjet e tij rreth figurës së Xhekson, kreu i qeverisë shkruan se ky i fundit i ka mësuar botës demokratike se kur një pushtet ndërhyn tek territori i tjetrit, atëherë Kushtetuta vdes.
Ndër të tjera, në mbishkrimin sipër fjalimit të plotë të Xhekson, Rama shkruan se ai i ka mësuar se ata që i konsideron si “baltosësit” e tij, nuk do ta kuptojnë asnjëherë.
Me anë të këtij reagimi, duket se Rama u referohet zhvillimeve të fundit në vend pasi ditën e djeshme u përgjigj edhe lidhur me hetimet ndaj zëvendëses së tij Belinda Balluku duke bërë me dije se qeveria do ta dërgojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese pasi e sheh këtë si ndërhyrje brutale në qeveri.
Postimi i plotë i Ramës:
SHËNIMI I DITËS
Më ka mbresuar prej kohësh figura monumentale e Robert H. Xheksonit,
njëra nga mendjet më të ndritura që ka njohur drejtësia demokratike.
Si Prokuror i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, gjyqtar i Gjykatës Supreme dhe arkitekt i akuzës në gjyqin epokal të Nurembergut, ai vendosi themelet morale të rolit të prokurorit në një shtet modern të së drejtës.
Fjalët e tij të kumtuara në mes të shekullit të kaluar, mbeten udhërrëfyese për këdo që beson se drejtësia duhet të jetë e pavarur, por kurrë e papërgjegjshme; e fortë, por kurrë e verbër ndaj kufijve kushtetues.
Dhe po e ndaj sot me ju, fjalimin historik të Robert H. Xheksonit, sepse paralajmërimet e kryeprokurorit legjendar të Amerikës, njeriut që shkroi etikën moderne të prokurorit demokratik, tingëllojnë sot si të shkruara për ne.
Robert H. Xheksoni i mësoi botës demokratike se kur prokurori kërkon njeriun përpara krimit, drejtësia vdes dhe kur një pushtet hyn në territorin e një tjetri, Kushtetuta demokratike nuk merr më frymë, por mbytet.
Ndërsa mua personalisht, ai më ka mësuar diçka tejet frymëzuese për të ecur drejt, vetëm përpara, të cilën asnjë prej baltosësve të mi nuk e kupton dhe s’ka për ta kuptuar kurrë dot, siç fatmirësisht e kupton fare mirë shumica e shqiptarëve. Kjo është shprehje e tij lapidare, “Pushteti nuk ka qenë kurrë më i denjë sesa në çastin kur ka pranuar t’i nënshtrohet gjykimit të një drejtësie të pavarur”.
JA EDHE FJALIMI I ROBERT H. XHEKSONIT QË KA HYRË NË ANALET E HISTORISË ME TITULLIN “PROKURORI FEDERAL”, MBAJTUR NË PRILL 1940 NË KONFERENCËN VJETORE TË PROKURORËVE TË SHTETEVE TË BASHKUARA:
Prokurori ka më shumë kontroll mbi jetën, lirinë dhe reputacionin e një personi sesa çdo njeri tjetër në Amerikë. Liria e tij është marramendëse. Ai mund t’i vendosë qytetarët nën hetim dhe, nëse është një lloj njeriu i caktuar, prokurori mund të merret me deklarata publike apo me insinuata të hapura ose të fshehura. Por ai mundet të ndjekë edhe një mënyrë më të hollë dhe thjesht të marrë në pyetje miqtë e një qytetari. Prokurori mund të urdhërojë arrestime, t’i paraqesë çështjet përpara një trupe pas dyerve të mbyllura dhe, mbi faktet e tij të njëanshme, të ngrejë akuzë duke i imponuar qytetarit uljen në gjyq.
Po ai mundet edhe të tërhiqet pa shkuar në gjyq fare, duke ia hequr mbrojtjes çdo mundësi për t’u dëgjuar. Ose mund të vazhdojë me një gjyq publik. Dhe nëse jepet një dënim, prokurori ka ende mundësi të ngrejë pretendime për masën e dënimit, njësoj si avokati i mbrojtjes.
Ndërkohë që prokurori, në rastin më të mirë, është një nga forcat më të dobishme për shoqërinë tonë, kur ai nxitet nga ligësia apo të tjera motive të ulëta, bëhet një nga forcat më të këqia. Fuqitë që ai ka, i janë dhënë sepse prej tij pritet të jetë i pandikueshëm, pra absolutisht i paanshëm dhe kurrësesi i shtyrë nga përfitime personale, ambicie politike apo presione publike. Detyrimi i tij i vetëm profesional është “që faji të mos ia hedhë dhe pafajësia të mos vuajë”.
Por, ndryshe nga gjyqtarët, prokurori nuk është natyrshmërisht i pandikueshëm. Ai emërohet ose shpesh zgjidhet, dhe i vjen t’i tregojë publikut zellin e tij. Për të bërë karrierë, ai rend pas një bilanci dënimesh. Lejomëni ta them edhe një herë: prokurorit i është besuar një fuqi e jashtëzakonshme dhe i kërkohet një karakter i pashoq.
Asgjë më të mirë nuk mund të bëjë një sistem ligjzbatues sesa të shmangë cfilitjet e panevojshme dhe ndjekjet e pajustifikueshme penale. Nëse një prokuror këmbëngul tek dënimi në një çështje që nuk duhet ndjekur fare penalisht, ose e gjykon një çështje në një mënyrë që nuk është e drejtë, dëmi që ai bën është i pallogaritshëm.
Kur fuqia e prokurorit bie në duart e një njeriu jo të mirë, prokurori bëhet njeriu më i rrezikshëm i një vendi.
Një nga rreziqet më të mëdha të abuzimit buron nga fuqia e prokurorit për të zgjedhur se kë ndjek penalisht. Të gjithë e kemi dëgjuar thënien e mençur se librat e ligjit janë aq të mëdhenj sa një prokuror mund ta gjejë një shkelje të çfarëdoshme ligjore për t’ia hipur në kurriz pothuajse kujtdo.
Është pikërisht këtu - tek zgjedhja e çështjeve - ku nxitet edhe tundimi më i madh. Prokurori mund të zgjedhë dikë që nuk i pëlqen ose dikë që dëshiron ta turpërojë, ose një grup njerëzish të papëlqyer nga publiku dhe t’u qepet për t’i gjetur në shkelje. Dhe pikërisht në këtë çast zbatimi i ligjit bëhet personal, dhe krimi i vërtetë bëhet fakti i të qenit i papëlqyer nga prokurori i gabuar.
Një prokuror i mirë mund t’i mbrojë njerëzit tanë nga krimi; një i keq mund t’i terrorizojë ata.
Zbatimi i ligjit nuk është automatik; është human. E përderisa është human, duhet vetëpërmbajtje e madhe. Fuqia më e rrezikshme e prokurorit është kur ai i zgjedh ata që mendon se duhen goditur, në vend që të zgjedhë çështjet që meritojnë të ndiqen. Me librat e ligjit plot me lloj-lloj parashikimesh për krimet, një prokuror ka shansin ta gjejë të paktën një shkelje teknike tek pothuajse çdo njeri.
Në një rast të tillë, çështja nuk është më të zbulosh kryerjen e një krimi dhe të kërkosh njeriun që e ka kryer; çështja bëhet të zgjedhësh njeriun që do të fajësosh dhe pastaj të kërkosh në librat e ligjit, e të vësh hetuesit në punë, për t’i hipur atij në kurriz një shkelje.
Tamam këtu qëndron edhe rreziku më i madh, rreziku që një post publik të përdoret për të poshtëruar, torturuar apo ndëshkuar një qytetar, jo pse është fajtor, por sepse është i papëlqyer apo i padëshiruar.
Cilësitë e një prokurori të mirë janë po aq të vështira për t’u bërë bashkë sa ato të një gjykatësi të mirë. Ato janë:
Ndershmëria. Integriteti profesional. Paanshmëria. Guximi dhe vendosmëria.
Por mbi të gjitha, ai duhet të kujtojë se misioni i tij kryesor nuk është të fitojë çështje, por të bëjë drejtësi. Versus.al
GJKKO konfirmon masat e sigurisë për Ballukun dhe 2 vartësit e saj

Zëvendës kryeministrja Belinda Balluku u paraqit sot në Gjykatën e Posaçme rreth orës 09:00 për konfirmimin e masave të sigurisë “ndalim i daljes jashtë vendit” dhe “pezullim nga detyra”.
Pas 40 minutash nga nisja, seanca u ndërpre për të vijuar 2 orë më vonë pasi avokatët e drejtorit të ARRSH Gentian Gjyli dhe drejtorit të KESH, Erald Elezi kërkuan të njiheshin me aktet hetimore.
Seanca më pas u zhvillua normalisht me pretendimet e organit të akuzës dhe ato të avokatëve mbrojtës. Në përfundim rreth orës 14:40 GJKKO njoftoi se kishte lënë në fuqi të njëjtat masa sigurie të caktuara fillimisht. Zv.kryeministrja nuk dha ndonjë deklaratë për mediat, teksa nënvizoi në seancë se ishte e hapur për hetimin lidhur me tenderin e Llogarasë dhe të lotit 4 të Unazës së Madhe të Tiranës.
Mbrojtja e Belinda Ballukut informoi mediat se do t'i drejtohet Apelit të GJKKO me kërkesën për rrëzimin e vendimit të sotëm. Versus.al
VIDEO/ Të shoqëruar nga policia, Gjyli dhe Elezi mbërrijnë në GJKKO për masën e sigurisë
Drejtori i ARRSH, Gentian Gjyli dhe drejtori i KESH-it, Erald Elezi kanë mbërritur mëngjesin e sotëm në Gjykatën e Posaçme ku do të njihen me masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’ që u caktua ndaj tyre disa ditë më parë.
Të dy shihen të shoqëruar nga disa efektivë të policisë. Ndaj tyre rëndon akuza për “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” sa i takon tunelit të Llogarasë dhe tenderit të Unazës së Madhe. Elezi ka mbajtur postin e drejtorit të Drejtorisë së Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve në ARRSH gjatë kohës kur dyshohet të ketë kryer veprën penale.
Në GJKKO do të paraqitet sot edhe zv.kryeministrja Belinda Balluku ndaj së cilës GJKKO pritet të konfirmojë masat e pezullimit nga detyra dhe të ndalimit të daljes jashtë vendit. Versus.al
