Çfarë do të gjeni në brendësi
*Mëngjesin e sotëm është gjetur e pajetë 76 vjeçarja Flora Hoxha e cila mëngjesin e djeshëm u rrëmbye nga vërshimi i lumit Devoll si pasojë e reshjeve të dendura të shiut. E moshuara vuante nga demenca ndërsa ishte raportuar e zhdukur që prej ditës së djeshme. *Në Fier qindra hektarë tokë vijojnë të mbeten nën ujë. Në Vlorë ende nuk ka kaluar niveli i rrezikut pasi lumi i Vjosës mbetet në kuotat e 7.8 deri në 8.3 metra duke dalë nga shtrati në disa zona dhe duke shkaktuar përmbytje të banesave dhe evakuim të banorëve e bagëtive. *Si pasojë e prurjeve të shumta të lumit Devoll, është hapur porta e emergjencës në hidrocentralin e Moglicës.
Përmbytjet në Shqipëri: 1500 hektarë tokë nën ujë, 200 familje të evakuara

Reshjet e dendura të ditëve të fundit kanë shkaktuar përmbytje masive në mbarë vendin, duke lënë pas dëme të mëdha në bujqësi, blegtori dhe infrastrukturë. Sipas Ministrit të Mbrojtjes, Pirro Vengu, rreth 1500 hektarë tokë janë nën ujë, nga të cilat 500 hektarë në Lezhë dhe 500 hektarë në Sarandë, si pasojë e çarjes së argjinaturave.
Situata është dramatike në zonat e lumit Devoll, Maliq, Vjosë dhe Seman, ku argjinaturat e dëmtuara kërcënojnë disa fshatra dhe kanë shkaktuar përmbytje të mëdha në tokat bujqësore. Në Sarandë, gjysma e blegtorisë ka pësuar dëme, duke u mbytur pjesërisht ose plotësisht stallat, ndërsa gjysma e krerëve të bagëtive kanë ngordhur.
Në rang vendi, rreth 200 familje janë evakuuar, nga të cilat 150 janë rikthyer në banesa, ndërsa 50 të tjera ndodhen ende në konvikte. Forcat e emergjencës dhe ekipet e bashkive janë të përqendruara në rehabilitimin e argjinaturave të dëmtuara dhe ndihmën ndaj blegtorëve të prekur.
Dëmtimet janë të konsiderueshme:
- Rreth 20 ura të dëmtuara, disa prej të cilave kërkojnë rehabilitim tërësor, sidomos në zonën e Glinës në Dropull.
- Çarje të argjinaturave të Bistricës së Madhe në katër vende, ku po punohet intensivisht për përforcimin e tyre.
- Tokat e mbjella dhe fushat bujqësore të mbuluara nga uji në Sarandë, Lezhë, Maliq dhe Seman.
Vengu thekson se puna për stabilizimin e situatës dhe uljen e nivelit të ujërave pritet të përfundojë brenda dy ditësh, duke aktivizuar hidrovorët dhe duke përmbyllur pikat e çara. Gjithashtu, do të nisë faza e inventarizimit dhe shpërblimit të dëmeve për blegtorët e prekur, si pjesë e përpjekjeve për të lehtësuar situatën dramatike që ka prekur zonat më të goditura.
Situata mbetet e rrezikshme në disa zona, ndërsa emergjenca vazhdon të jetë e lartë dhe forcat e ndërhyrjes janë në terren për të parandaluar përkeqësimin e katastrofës.
Katastrofë në fermë / Mot i keq mbyt qindra dele në Sarandë (FOTO)

Fotografi i Reuters, Florion Goga, ka dokumentuar me foto dëmin katastrofik që reshjet e dendura dhe moti i keq i kanë shkaktuar një fermeri në Sarandë. Stallat e tij janë përmbytur nga niveli i lartë i ujit, duke marrë jetën e qindra deleve.
Fermeri Dorian Rrjepaj mbante rreth 500 dele, por për shkak të përmbytjes, të paktën gjysma e tyre kanë ngordhur. Situata dramatike u përshkrua edhe nga ministri i Bujqësisë, Pirro Vengu, i cili njoftoi se fermeri do të marrë dëmshpërblimin e nevojshëm.
Në një nga fotot e publikuara nga Goga, shfaqet Dorian Rrjepaj duke shikuar me tmerr dhe dhimbje ndërsa personeli i emergjencës përpiqet të evakuojë delet nga stallat e përmbytura. “Fermeri Dorian Rrjepaj shikon teksa personeli i emergjencës evakuon delet në fermën e tij të përmbytur ku u mbytën qindra dele, afër Sarandës, Shqipëri, 22 nëntor 2025”, shkruhet në postimin e fotografit.
Reshjet e pandalshme përmbytin Korçën: Banesa të dëmtuara, fusha nën ujë dhe fshatra të izoluar

Reshjet e dendura përmbytin Korçën: dëme të mëdha në Pogradec e Maliq, fshati Denas mbetet i izoluar
Reshjet e shumta të shiut që kanë goditur vendin gjatë 48 orëve të fundit kanë shkaktuar probleme serioze në qarkun e Korçës, veçanërisht në bashkitë Pogradec dhe Maliq, ku situata paraqitet e rënduar dhe dëmet materiale janë të konsiderueshme.
Dëme të mëdha në Pogradec
Në Pogradec janë raportuar rreth 50 banesa të dëmtuara si pasojë e përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut. Dëmtime janë shënuar edhe në disa ura lidhëse dhe në unazën rrethuese të qytetit, ku reshjet kanë shkaktuar çarje të mëdha në rrugë.
Për shkak të rrezikut, 3 familje janë evakuuar dhe janë strehuar përkohësisht nga autoritetet vendore deri në stabilizimin e situatës.

Maliqi nën ujë
Në bashkinë Maliq, situata është po aq alarmante. Fushat bujqësore janë përmbytur tërësisht, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në të mbjella. Fusha e Maliqit tashmë i ngjan një liqeni të madh, ndërsa ekipet e emergjencës vazhdojnë punën për të forcuar argjinaturat e lumenjve Devoll dhe Dunavec.
Përmbytja është nxitur nga rritja e nivelit të lumit Devoll si dhe çarjet në disa pika të argjinaturës së lumit Dunavec, duke përkeqësuar më tej situatën.
Denas, fshati që kërkon ndihmë urgjente
Ndërkohë, banorët e fshatit Denas kanë bërë apel për ndihmë nëpërmjet rrjeteve sociale. Ata deklarojnë se prej një jave janë të izoluar, pasi mungesa e një ure lidhëse i ka lënë pa komunikim me fshatrat e tjerë.
E vetmja rrugë e improvizuar mbi lumë që përdorej nga banorët është tashmë e pakalueshme për shkak të prurjeve të mëdha të ujit, duke i lënë banorët në një situatë të vështirë dhe pa akses në shërbimet bazë.
“Nëse shteti s’ndërhyn tani, s’do mbetet më asgjë”, banorët e fshatrave në jug: Shpallni gjendjen e emergjencës
Vlorë- Banorët e fshatrave të përmbytur në bashkitë e Sarandës dhe Delvinës kërkojnë që të shpallet gjendja e emergjencës dhe të ketë ndërhyrje të menjëhershme në argjinatura, kanale dhe ujë.
“Nëse shteti nuk ndërhyn tani, nesër nuk do të mbetet as një pemë, as një lopë, as një familje këtu", janë shprehur ata, ndërkohë që situata në Çukë, Konispol, Finiq dhe Shalës është katastrofike.
Agjinaturat e ngritura janë shkatërruar njëra pas tjetrës dhe për pasojë përmbytjet kanë shkaktuar një gjendje të pazakontë emergjence në jug. Pas shirave, strukturat e sapo ndërtuara nuk i rezistuan dot prurjeve të lumit. Versus.al
“Është i ndotur”, bashkia Kolonjë thirrje qytetarëve: Mos pini ujë nga çezma

Bashkia e Kolonjës ka dalë me një njoftim shumë të rëndësishëm sa i takon situatës në vend si pasojë e përmbytjeve e reshjeve të dendura të shiut. Në njoftim u bëhet thirrje qytetarëve që të mos konsumojnë ujë nga çezma deri në një moment të dytë pasi nga analizat e kryera së fundmi, ka rezultuar i ndotur.
Njoftimi i bashkisë:
Kolonjë bën me dije se, si pasojë e reshjeve intensive të ditëve të fundit, analizat e kryera mbi ujin e rrjetit të qytetit kanë treguar prezencë ndotjeje mikrobike dhe fiziko–kimike.
Uji i rrjetit nuk duhet të përdoret për konsum deri në një njoftim të dytë.
Po punohet për normalizimin e situatës dhe çdo informacion i ri do të bëhet menjëherë i ditur për publikun. Faleminderit për mirëkuptimin! Versus.al
4 ditë me reshje shiu, ministria jep detaje: Janë evakuuar dhjetëra familje, disa zona të përmbytura në vend

Ministria e Mbrojtjes me anë të një njoftimi zyrtar ka dhënë detaje lidhur me situatën në vend pas 4 ditësh me reshje të dendura shiu.
Situata më problematike paraqitet në jug të vendit, por gjithashtu po mbahen nën vëzhgim disa zona në veri ku ka patur përmbytje. Në Vlorë e Korçë janë evakuuar disa familje.
Njoftimi i ministrisë:
Pas ndërhyrjes së pandërprerë të forcave edhe gjatë orëve të natës, situata në të gjithë vendin paraqitet në përmirësim, pavarësisht se në disa zona reshjet e shiut kanë vijuar. Nivelet e ujit në disa zona kanë nisur të ulen, një pjesë e madhe e akseve rrugore, ku ka patur probleme janë rikthyer të kalueshme, ndërsa ekipet e emergjencave civile, Forcat e Armatosura, OSHEE dhe strukturat vendore po vijojnë punën për stabilizimin e plotë të situatës dhe normalizimin e furnizimit me energji, pastrimin e rrëshqitjeve dhe garantimin e sigurisë së banorëve.
Situata sipas qarqeve:
QARKU VLORË
Niveli i lumit Vjosa në Novoselë vazhdon me tendencë ulje, aktualisht niveli është 7.65 m.
Po vijon puna në bashkitë; Delvinë, Finiq dhe Konispol, ku për shkak shirave ditën e djeshme ka pasur prezencë dherash në rrugët që lidhin disa fshatra.
Dje është punuar për rehabilitimin e aksit rrugor, që lidh fshatrat Kakodhiq dhe Lefterhor. Në mbështetje të bashkisë kanë shkuar 30 forca dhe 3 mjete nga FA.
Në fshatin Vrion është bërë evakuimi I banorëve në një banesë, për shkak të pranisë së ujit.
Hidrovorët e bashkisë Vlorë janë në punë me kapacitet të plotë.
QARKU FIER
Vazhdon të ketë ulje në lumenjtë Vjosë dhe Seman. Situata është si më poshtë:
Rreth 110 hekratë tokë është me prezencë uji në fshatrat Kashisht - Çerven dhe Ferras. Nuk ka patur evakuime të banorëve, por është punuar për largimin e ujit nga oborret e banesave ku gjatë ditës së djeshme është evidentuar kjo problematikë.
Autoritetet vendore janë në monitorim të argjinaturave pranë lumenjve, nga ku rezulton se deri në këto momente nuk ka pasur cënim të infrastrukturës kritike.
Strukturat vendore kanë kaluar në gatishmëri të plotë me gjithë kapacitet teknike e logjistike që kanë në dispozicion. Në afërsi të lumit Vjosë, në fshatin Ferras janë vendosur për mbështetje edhe kapacitetet e Ministrisë së Mbrojtjes, me mjete të kalueshmërisë së lartë, varka shpëtimi, trupa e të tjerë.
QARKU KORÇË
Ekipet në terren janë në monitorim të vazhdueshëm të prurjeve në lumenjtë Devoll dhe Dunavec.
Ka prani uji në toka bujqësore dhe në disa banesa në: Lumalas, Bulgarec, Shamoll, Çiflig, Turan, Vloçisht e Sovjan. Në Sovjan janë evakuar 15 familje nga ekipet e emergjencave në terren.
Bashkia Pustec: Po mbahet nën kontroll situata në fshatin Shulin, ku uji herë pas here depërton në katet përdhese të banesave.
Bashkia Pogradec: Prurje të larta nga lumenjtë e Vërdovës, Rëmenjit dhe qytetit.
Ndërkohë po punohet për pastrimin e dherave në Dardhas, Proptisht, Çërravë.
Tek hidrovori i Tushemishtit po punohet për stabilizimin e situatës, vijon me kapacitet të plotë, janë 4 pompa në punë.
Strukturat e bashkisë, UKT dhe zjarrfikësit vijojnë në terren.
Bashkia Kolonjë: Rezervuarët e Helmesit dhe Kabash-Leskovik, po punojnë me kapacitet maksimal.
Po punohet në infrastrukturë për riparimin e disa urave në: Qafzezë, Shtikë, Gostivisht, Psar.
Pas disa orëve kërkime, ekipet e kërkim-shpëtimit dhe të FA kanë bërë të mundur gjetjen e trupit të zonjës 76 vjeç, në Progër.
QARKU LEZHË
Në të gjithë qarkun ka patur ndërhyrje të përqendruar të forcave, për shkak edhe situatës më komplekse, të krijuar si pasojë e reshjeve të shumta.
Deri tani janë llogaritur rreth 220 ha sipërfaqe nën ujë; (90 ha në Zejmen,70 në Shënkollë dhe rreth 60 ha Barbulloje nga dëmtimi i argjinaturës në Tale).
Hidrovorët po punojnë me kapacitet të plotë, me përjashtim të atij të Tales.
Furnizimi me ujë të pijshëm dhe energji elektrike vazhdon normalisht
Në bashkinë Lezhë
Të gjitha strukturat e MC janë në terren tek argjinatura në Lagunën Vain. Riparimi/mbyllja e argjinaturës së dëmtuar përfundoi si fazë e parë, por do të vazhdojë puna për ngritjen në lartësi të saj si dhe në ndarjen e ndihmave ushqimore për banorët, evakuim të personave të izoluar, etj.
Ekipet me varka kanë punuar për evakuimin e disa banorëve që kanë kërkuar ndihmë.
Në bashkinë Kurbin Prezencë uji, ka vetëm pjesërisht, në zonën e ulët të Gjormit.
Vijojnë punimet në shtratin e lumit Drojë, me eskavatorin e bashkisë.
Njëkohësisht, me mjetet e bashkisë, po punohet për sistemimin dhe rehabilitimin e rrugës alternative të fshatit Shpërdhet, që banorët të kenë akses dhe me mjetet e tyre.
-Vijon puna në aksin rrugor Skuraj-Vinjollë-Gallatë. Janë duke punuar, eskavatori me zinxhir i FA-se, Fadroma dhe një kamion i bashkisë. Aksi është i kalueshëm, pasi edhe ura është riparuar.
-Po ndërhyhet në shtratin e lumit Skuraj, (Vinjollë), për devijimin e rrjedhës në afërsi të rrugës.
Në bashkinë Mirditë Vazhdojnë ndërhyrjet për rehabilitimin e rrugëve të dëmtuara nga reshjet e shirave. Po punohet në njësinë administrative Rrëshen, Kaçinar dhe Fan.
Nuk ka dëme të konsiderueshme në kultura bujqësore.
QARKU DIBËR
Situata është në përmirësim.
Po punohet me mjete për thellimin e kanalit kullues dhe largimin e ujit në bashkinë Bulqizë, ku ka patur probleme në aksin rrugor mes qytetit të vjetër dhe qytetit të ri, te terminali.
Po mbahet nën monitorim situata në fshatin Urakë dhe në liqenin e Ulzës, ku ka rritje të nivelit të ujit. Në terren janë edhe mjete dhe forca nga FA, për të shmangur rrezikun e përmbytjes së banesave dhe për sistemimin provizor të argjinaturës.
QARKU SHKODËR
Në bashkinë Fushë-Arrëz situata paraqitet më problematike në njësinë administrative Qafë Mali, ku po punohet për pastrimin e dherave në disa segmente rrugore.
Në bashkinë Malësi e Madhe është konstatuar rritje e prurjeve të përroit të Thatë.
QARKU BERAT
Situata është në përmirësim.
Ka rënie të theksuar të nivelit të lumit Osum, i cili është brenda shtratit të vet dhe ujërat në tokat bujqësore ne fshatrat përreth.
Po ashtu edhe lumi Devoll ka shënuar rënie të nivelit.
Nga shërbimet e bashkisë Dimal dhe MZSh do të filloj puna për pastrimin e baltës dhe llumit nga rrugët dhe oborret e banesave.
QARKU GJIROKASTËR
-Në bashkinë Dropull, ura që lidh aksin rrugor Kombëtar me fshatrat Glinë, Peshkëpi e Poshtme, Peshkëpi e Sipërme dhe Radat të bashkisë Dropull dhe fshatin Nepravishtë të bashkisë Libohovë, ka pësuar ulje si pasojë e reshjeve të shiut. Policia e Shtetit ka ndaluar qarkullimin mbi urë dhe nga bashkitë dhe bizneset private po merren masa për vënien në funksion të një rruge alternative, e cila do të mundësojë kalimin e mjeteve dhe banorëve.
-Në bashkinë Libohovë është punuar për riparimin e urës në fshatin Suhë.
Në Përmet është bërë i mundur riparimi i rrugës Frashër–Përmet (afër depos së ujit të fshatit, duke lejuar kalimin e mjeteve.
QARKU ELBASAN
Në Bashkinë Gramsh po punohet në segmetin e rrugës, në njërin krah të urës së Shëmrizës.
Punohet edhe në aksin rrugor Kodovjat -Mashan, ku ishte shembur një masiv dheu si dhe në aksin nacional Gramsh-Moglicë, në vendin e quajtur Mashan, ku pas ndërhyrjes, kalimi është I lirë.
Po punohet edhe në aksin rrugor nacional Elbasan-Peqin, tek vendi i quajtur kthesa e Broshkes për pastrimin e gurëve të rënë.
QARKU TIRANË
Po vijon monitorimi si pasojë e shtimit të prurjeve të lumit Shkumbin në Rrogozhinë, I cili dje doli përkohësisht nga shtrati.
Ekipet e OSHEE në terren janë duke punuar gjithashtu pa ndërprerje për rilidhjen e energjisë në ato zona, ku ka patur dnërprerje, si pasojë e motit të keq.
Ministria e Mbrojtjes, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe të gjitha strukturat në varësi janë pa ndërprerje në terren për të siguruar jetën e banorëve, gjësë së gjallë dhe të pronës. Ju bëjmë thirrje banorëve të zonave të prekura të bashkëpunojnë me autoritetet, në rast të nevojës së evakuimeve! Versus.al
E trishtë, u rrëmbye nga vërshimi i lumit, gjendet e vdekur e moshuara në Devoll

Strukturat e kërkim shpëtimit në Devoll kanë gjetur trupin e pajetë të 76 vjeçares Flora Hoxha e cila u rrëmbye dje nga vërshimi i lumit në fshatin Progër.
Pavarësisht përpjekjeve nga ekipi i shpëtimit, e moshuara u gjet e vdekur pranë lumit Devoll.
76 vjeçarja u raportua e zhdukur mëngjesin e djeshëm, ndërsa vuante edhe nga demenca e plotë. Versus.al
Jugu nën pushtetin e ujit, qindra hektarë tokë dhe dhjetëra banesa të përmbytura! Si paraqitet situata nga moti i keq
Prej ditësh vendi ynë është përfshirë nga reshje të dendura shiu të cilat kanë shkaktuar problematika në disa zona të ndryshme të territorit, kryesisht në jug me përmbytje.
Në Fier, lumi Seman ka dalë nga shtrati dhe ka shkaktuar përmbytjen e disa stallave dhe pemishteve në Mbrostar. Po ashtu edhe në zonën e Ngurrëz Imësht në Lushnjë, 200 hektarë tokë bujqësore janë në ujë si pasojë e vërshimit të lumit.
Ndërkaq, në qytetin e Beratit gjendja paraqitet e normalizuar, por në disa fshatra ka prani të ujit në tokat bujqësore.
Në Vlorë, niveli i lumit Vjosa luhatet nga 7.8–8.3 metra. Për dy ditë me radhë, niveli i Vjosës ka qëndruar mes kuotave 7.8 dhe 8.3 metra, duke shënuar ulje-ngritje të vazhdueshme, por pa rënë poshtë zonës së rrezikut.
Si pasojë e prurjeve të shumta të ujërave të lumit Devoll, është hapur porta e parë e emergjencës në kaskadën e Hidrocentralit të Moglicës.
Dje u desh ndërhyrja e ekipeve të emergjencës për të evakuuar disa banorë dhe bagëti në zona të ndryshme të jugut të vendit për shkak të përmbytjes së dhjetëra banesave. Versus.al
