POLITIKË /

PD lihet jashtë delegacionit në Bundestagun gjerman, selia blu: U bë qëllimisht nga Peleshi

Shkruar nga Versus

PD lihet jashtë delegacionit në Bundestagun gjerman, selia blu: U

Partia Demokratike është lënë jashtë delegacionit shqiptar në Bundestag. Nëpërmjet një reagimi të publikuar sot, selia blu bën me dije se pavarësisht se kishin caktuar Tomorr Alizotin dhe Klesvis Balliun si anëtarë të delegacionit, kryepalamentari Niko Peleshi hoqi emrat e tyre.

Sipas PD, ky veprim është bërë qëllimisht për të përjashtuar grupin parlamentar më të madh të opozitës nga përfaqësimi institucional.

Reagimi:

Në vijim të kërkesës së datës 4 Mars 2026 të vetë Kryetarit të Kuvendit për të caktuar dy deputetë të grupit tonë parlamentar në këtë Delegacion, nga ana e kryetarit të grupit parlamentar u caktuan z. Tomorr Alizoti – Nënkryetar i grupit parlamentar dhe njëherazi Nënkryetar i Grupit të Miqësisë Shqipëri – Gjermani; si dhe z. Klevis Balliu – Nënkryetar i Komisionit të Sigurisë dhe njëherazi anëtar i Grupit të Miqësisë Shqipëri – Gjermani.

Niko Peleshi, në një akt të paprecedentë për një Kryetar Kuvendi, por të përsëritur prej tij, ka vendosur më pas pa asnjë arsye të përjashtojë grupin më të madh të opozitës në Kuvend nga delegacioni zyrtar i Kuvendit të Shqipërisë në Bundestag. Emrat e përfaqësuesve të Partisë Demokratike u hoqën qëllimisht për ta përjashtuar PD nga përfaqësimi institucional.

Fatkeqësisht, ky vendim tregon sa vite dritë larg standardeve demokratike të Bundestagut gjerman është sot drejtimi i maxhorancës parlamentare.

Trajtimi i opozitës si armik nuk e zhbën problemin kryesor të kësaj maxhorance: lidhjet me krimin e organizuar dhe mbrojtjen e korrupsionit përmes votës në Parlament. Dhe ndërkohë që flasin për anëtarësim në Europë, negociatat më të frytshme i bëjnë me skifterët e orëve të vjedhura nëpër Europë apo duke bashkëpunuar me organizatat më të rrezikshme kriminale në vend!

Ne nuk presim standarde europiane nga një Kryetar Kuvendi që nuk vendos dot vetë, por urdhërohet nga ushtarët politikë të Suel Çelës.

Po të mos ishte në kërkim ky i fundit, sot mund ta shihnim si pjesë të delegacionit njëpartiak në Bundestag.

Mirëpo, kjo sjellje e Kryetarit të Kuvendit nuk e pengon opozitën që të përfaqësohet në marrëdhëniet me partnerët tanë ndërkombëtar. Opozita po zhvillon takimet e saj në Bundestag dhe në Qeverinë Federale Gjermane, në nivelet më të larta, të planifikuara më herët. Ne po përfaqësojmë PD dhe Shqipërinë me dinjitet dhe me qëndrime të qarta për shtetin ligjor dhe integrimin europian. Versus.al

Poll