
Ndërkohë që pensionistët po zhvillojnë sot para kryeministrisë protestën e dytë brenda pak ditëve, kryeministri Edi Rama ndodhet në qytetin e Durrësit në takim me disa prej të moshuarve në kuadër të turit të takimeve të nisura për skemën e re të pensioneve.
Ashtu si në takimet e kaluara me pensionistë në qytete të ndryshme, Rama u përqendrua tek justifikimi për mungesën e rritjes së pensioneve duke thënë se në momentin kur PS mori drejtimin e qeverisë, situata me pensionet ishte shumë e vështirë.
“Po pse na janë dashur ne 10 vite që të bëjmë këtë bisedë. Sepse rritja e pensioneve nuk është si rritja e pagave. Sot secili prej jush merr nga fondi që krijohet nga kontributet e atyre që sot janë në punë. Trashëgimia jonë në këtë pikë është e tmerrshme pasi në fillimet e këtij procesi patëm një katastrofë të shkatërrimit të infrastrukturës së krijuar. Patëm dalje masive në pension në një moshë shumë të re për shkak se njerëzit nuk kishin ku të shkonin. Deri në vitin 2014 kur ne bëmë reformën e parë të pensioneve, Shqipëria ishte në situatë totalisht kundër të ardhmes me një pension tavan që ishte 100 euro”- u shpreh mes të tjerash Rama i cili përsëriti akuzat për subjektet që nuk deklarojnë pagat e plota.
Pensionistët ditën e sotme kanë kërkuar përcaktimin e një minimum jetik. Versus.al








