POLITIKË /

Përplasjet pas zgjedhjeve nxisin krizë brenda PD-së: Murrizi flet për arrestime, Berisha reagon me një 'këshillë'

Fillojnë përplasjet brenda Partisë Demokratike pas humbjes së thellë në zgjedhjet e 11 majit.

Shkruar nga Versus
Përplasjet pas zgjedhjeve nxisin krizë brenda PD-së: Murrizi flet
Myslim Murriz/Sali Berisha

Vetëm pak ditë më parë, ish-deputeti Myslim Murrizi ngriti alarmin për zhvillime të nxehta brenda opozitës gjatë muajve të verës.

Ai parashikoi një “furtunë” hetimesh nga SPAK, që sipas tij do të godasë veçanërisht disa nga emrat e njohur të Partisë Demokratike — deputetë të renditur në zonat e sigurta gjatë zgjedhjeve të 11 majit.

“Dhe unë kam bërë fushatë vetëm me QYTETARET pa vd coll dhe pa pirë kafe me asnjë  “udhëheqës” me “paparac” nga pas që tu përcillja strukturave mesazhin që “udhëheqja” vdes për mua.

Ehhhhh! Sa ujëra do rrjedhin në këtë verë të “nxehtë” sa do habiten të gjithë HAJDARET dhe HAJDARESHAT që mashtrojnë sikur dinë shumë din çdo gjë”, shkroi Murrizi ndër të tjera.

Së fundmi, paralajmërimi i Myslim Murrizit për goditje të mundshme nga SPAK në radhët e demokratëve ka marrë përgjigje nga lideri i opozitës, Sali Berisha.

I pranishëm në emisionin “Debat” në A2CNN, Berisha hodhi poshtë aludimet, duke theksuar se asnjë prej kandidatëve të tij nuk ka lidhje me veprimtari të paligjshme. Në reagimin e tij, ai i bëri thirrje Murrizit që të mos hedhë akuza pa prova, duke shtuar se deklaratat e tilla duhen mbështetur në fakte konkrete.

“Nuk ka asnjë të inkriminuar nga kandidatët e PD-së. Zoti Murrizi duhet të flasë me fakte dhe jo me dëshira apo hamendje. Cilido që flet, duhet të flasë me fakte”, u shpreh Berisha./Versus.al

 

Poll