POLITIKË /

“Po të zgjohej Ismail Qemali, s’do e njihte Shqipërinë”, Berisha: Rama e shndërroi në vendin e kanabisit

Shkruar nga Versus
“Po të zgjohej Ismail Qemali, s’do e njihte
Kryedemokrati Sali Berisha dhe pikturë e Ismail Qemalit

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka zgjedhur një metodë ndryshe për të uruar 112 vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Nëpërmjet një deklarate për mediat, një ditë pasi u lirua nga arresti shtëpiak, Berisha deklaroi se nëse Ismail Qemali do të zgjohej sot, nuk do të njihte asgjë nga vendi ku shpalli pavarësinë.

Sipas Berisha është vite dritë larg asaj çfarë duhej të ishte dhe mori rastin e largimit të Ismail Qemalit nga vendi për ta krahasuar me situatën aktuale politike.

“Ismail Bej Vlora dhe etërit e tjerë të pavarësisë po të zgjoheshin sot, nuk do të njihnin asgjë nga Shqipëria në të cilën ata shpallën pavarësinë. Shqipëria është vite e vite drite larg. Por nëqoftëse në rrafshin material, fizik, ndryshimet janë vite drite larg, përsëri për fatin jo të mirë, ngjashmëritë janë të pashmangshme. Pas shpalljes së Pavarësisë, vrapuan të ja merrnin pavarësinë Shqipërisë. Përzunë nga vendi babain e pavarësisë. Firmosën traktate për zhdukjen e saj. Shqiptarët krijuan principata në shërbim të të huajve. Hodhi shqiptare u dyndën drejt Vlorës për të përzënë Ismail Qemalin dhe kundra tij”- tha Berisha.

Ish-kryeministri akuzoi kreun e qeverisë Edi Ramën se e ka zëvendësuar shtetin ligjor me narkoshtetin. Duke pasur parasysh arrestimin e tij dhe të Metës, Berisha tha se Rama riktheu burgjet politike.

“Natyrisht kjo histori nuk mund të përsëritet kurrë në këtë formë, por e vërteta është se njëlloj si ata që u prinë ushtrive serbe në atë kohë, sot në Tiranë qeveris një shqipfolës, që zbaton në këtë vend pas 112 vitesh pavarësi, zbaton pikë për pikë politikën Çubrilloviçit dhe ka përzënë nga Shqipëria në 10 vite, më shumë shqiptarë se çdo pushtim tjetër deri sot.

Vendin e pasurive më përrallore, më mahnitëse e shndërroi në vendin e kanabisit, vendin e drogës.Shtetin ligjor e zëvendësoi me narkoshtetin. Rikthej arrestimet, burgjet politike dhe përvetësimin e papërmbajtur masiv të pasurive publike, zhyti shqiptarët në mjerin progresiv. I vetmi popull në rajon dhe Europë, në të cili varfëria u rrit nga viti në vit. Në këtë kontekst në këtë kuadër, PD si forcë politike që përmbysi komunizmin, ishte para alternativës, të jesh apo të mos jesh. Të jesh do të thotë të merrte përsipër misionin e përmbysjes së re”- deklaroi kryedemokrati.

Një pjesë e deputetëve demokratë ishin të pranishëm sot në Vlorë, ku morën pjesë në ceremoninë e ngritjes së flamurit menjëherë pasi u largua kryeministri Edi Rama. Ndërsa Sali Berisha zgjodhi që urimin e tij për ditën e pavarësisë ta bënte nëpërmjet një deklarate në media. Versus.al

Poll