Gjatë fjalës së tij në një konferencë ndërkombëtare të mbajtur në Tiranë për përparimin e teknologjisë, kryeministri Edi Rama njoftoi planin për të rritur nivelin e sigurisë në rrugë dhe shkolla.
Ai deklaroi se njëjtë si në vendet e BE do të ketë kamera të bashkuara me një sistem të Inteligjencës Artificiale për të monitoruar gjithçka që ndodh në rrugët dhe shkollat e vendit.
“Tjetra që po punojmë aktualisht… dhe të gjitha këto janë produkte që ose janë vënë në punë ose po përgatiten për t’u vënë në punë. Një tjetër produkt është produkti i sigurisë që lidhet me sigurinë në rrugë që falë një sistemi që këtë e kanë shumë vende të zhvilluara, të kamerave digjitale, por bashkuar me një sistem të Inteligjencës Artificiale, do mund të monitorojë në kohë reale gjithçka ndodh në rrugët e vendit dhe deri në shkolla”- deklaroi Rama.
Ndër të tjera kryeministri tha se me këtë sistem kamerash do të ketë një raport ndryshe mes mësuesve, nxënësve dhe prindërve me institucionet e vendit.
“Mbi këtë bazë do ketë raport krejtësisht ndryshe mes qytetarit dhe ligjit, ndërkohë që policia do bëhet e padukshme në rrugët e vendit si rezultat i teknologjisë. Do të ketë raport krejt ndryshe mes nxënësit, mësuesit dhe prindit dhe institucioneve falë faktit që gjithçka do jetë në kushte shumë të larta sigurie”- shtoi kryeministri. Versus.al








