Kuvendi është përfshirë sot nga debatet lidhur me një interpelancë të kërkuar nga Agron Shehaj me zv.kryeministren Belinda Balluku për rrugën Thumanë-Kashar.
Deputetët e opozitës kërkuan llogari përse çështja nuk ishte futur në rend dite, ndërsa kryeparlamentarja Elisa Spiropali u përgjigj duke thënë se Balluku ndodhej në një udhëtim jashtë vendit.
Por zv.kryeministrja u paraqit në Kuvend duke ngjallur reagimet e deputetëve të opozitës. Teksa mori fjalën numri dy i qeverisë tha se ishte kthyer nga udhëtimi dhe kishte vendosur të merrte pjesë në Kuvend, ndërsa fajësoi vetë Shehajn për mos-zhvillimin e seancës për shkak të paraqitjes së raportit mjekësor nga ana e tij 2 herë radhazi.
“Do më ndaloni të vij në orën 11:00? U ktheva dhe u futa në seancë. Nuk e kuptoj ku është gjithë ky problem i madh. Shehaj ka marrë 2 herë raport mjekësor sepse ka pasur frikë të hyjë në seancë prej jush. Nuk ka nevojë t’i jepni flatra populizmave të zotit Shehaj. Nuk kam munguar kur kam pasur interpelancë. Nuk ka gënjyer kryetarja.
Po Ina si e kishte hallin ti? Nuk e kuptoj ku është problemi juaj, a nuk mund të vijmë në seancë pasi kthehemi?
Po flistja për një interpelancë me Zotin Shehaj gjë që e kam për kënaqësi sepse më jepet mundësia që populizmin e tij ta bëj leckë sepse nuk ka asgjë tjetër, as argumente dhe asgjë. Unë këtu kam qenë, ai nuk hyri dot në seancë nga frika juaj se protestonit. Tani unë nuk do ta bëj dot burrë zotin Shehaj, nuk i jap dot zemër”- tha Balluku. Versus.al








