POLITIKË /

Prezantimi i Operatorit të Prodhimit të Ujit, Balluku: Do të sjellë furnizim 24-orësh dhe standardizim kombëtar!

Përsa i përket Operatorit të Prodhimit të Ujit, i cili do të nisë operimin në janar 2026 dhe do të monitorojë teknologjikisht të gjitha burimet ujore, sipas ministres do të garantojë furnizim 24-orësh në të gjithë vendin.

Shkruar nga Versus
Prezantimi i Operatorit të Prodhimit të Ujit, Balluku: Do të
Belinda Balluku

Zv.kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, prezantoi këtë të mërkurë, 3 shtator, një analizë të detajuar lidhur me gjendjen e sektorit të ujësjellës-kanalizimeve, nga vitit 2013 deri më sot, dhe hapi një kapitull të ri me krijimin e Operatorit Kombëtar të Prodhimit të Ujit.

Sipas zv.kryeministres reforma e nisur në vitin 2021 në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve ka dhënë rezultate të dukshme, duke përmirësuar furnizimin me ujë të pijshëm dhe optimizuar financat e ndërmarrjeve rajonale.

Përsa i përket Operatorit të Prodhimit të Ujit, i cili do të nisë operimin në janar 2026 dhe do të monitorojë teknologjikisht të gjitha burimet ujore, sipas ministres do të garantojë furnizim 24-orësh në të gjithë vendin.

Ministrja gjithashtu theksoi se aktualisht Shqipëria ka 1175 sisteme ujësjellësi dhe 1602 burime uji, nga të cilat 584 janë malore dhe 1116 puse shpime.

Përveç kësaj, nga 2013 deri më sot, numri i zonave urbane me furnizim 24-orësh është rritur nga katër në 43, ndërsa zonat rurale nga zero në 98.

“Reforma jo vetëm që ka përmirësuar cilësinë e shërbimit, por ka siguruar edhe menaxhim të qëndrueshëm financiar dhe mbrojtje më të fortë të burimeve ujore, duke i bërë ato të qëndrueshme për qytetarët dhe sektorin turistik,” deklaroi Balluku.

Pjesë nga fjala e Ballukut:

Unë nuk do desha që të përsëritem përse i përket situatës, të cilën ne e kemi gjetur në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve, duke nisur nga viti 2013, dhe edhe prezantimi që do të ndjekë në ndërkohë tregon një krahasim që ne kemi marrë me vitin 2020, si viti i fundit kur ne nisëm të ngjizim dhe më pas të implementojmë një reformë e cila tashmë ka përmbyllur fazën e saj të parë.

Sigurisht fragmentimi ka qenë një problemet kryesore, të cilat kemi identifikuar dhe që padyshim, mbas krijimit dhe agregimit të 58 ndërmarrjeve vendore në 15 ndërmarrje rajonale, duke përjashtuar këtu vetëm Tiranën, Kamzën dhe Vorën, të cilat nuk kanë qenë në gatishmëri në periudhën kur u bë agregimi për t'u bërë pjesë e këtij procesi,  të gjitha ndërmarrjet e tjera të krijuara, 15 ndërmarrjet, kanë arritur që vetëm në dy vite, duke qenë se reforma filloi në 2021, por zbatimi i saj shënohet në janar të 2023, ne vetëm në dy vite, ose më pak edhe se dy vite, kemi arritur që të kemi rezultate të qenësishme, të prekshme, të cilat nuk kanë të bëjnë thjesht me përmirësimin dhe optimizimin e shërbimit, por mbi të gjitha kanë bëjnë me optimizimin e financave të këtyre ndërmarrjeve, të cilat përveç faktit që kishin të gjithë problematikën brenda tyre, reflektonin ashtu siç e tha dhe Kryeministri, të gjithë problematikën financiare të tyre edhe në sektorin e energjisë elektrike në vendin tonë.

Në ndërkohë, përveç këtij fragmentimi, një nga problematikat më të mëdha kanë qenë borxhet e larta dhe bilancet negative të të gjitha këtyre ndërmarrjeve, duke pasur parasysh që në vitin 2020 niveli i shlyerjes së faturës së energjisë elektrike, flas për faturën korente, për vitin 2020, nga shoqëritë ishte vetëm 51% , ndërkohë që në rang vendi detyrimet e prapambetura arrinin në 13 miliardë, 13.6 miliardë për korrektësi.

Do të jepja disa shembuj këtu për të kuptuar thjesht se si ishte situata në vitin 2020, kur ujësjellës- kanalizimet e Kukësit kishin një nivel të shlyerjes së faturës vetëm 9%, ndërkohë që Gjirokastra, duke marrë këtu një nga pikat veriore dhe një nga ndërmarrjet e jugut, kishte një përqindje të shlyerjes së faturave vetëm 37%. Nga ana tjetër, sigurisht e gjitha kjo reflektoi në një mungesë të furnizimit të qëndrueshëm. Në vitin 2013 ne kishim vetëm katër zona urbane, të cilat furnizoheshin 24 orë me ujë, që ishte Korça, Pogradeci, Shkodra dhe Librazhdi dhe kishim sigurisht pjesën më të madhe të vendit, një përqindje shumë e lartë, totalisht e pambuluar. Në ndërkohë që uji i pa të ardhura arrinte nivelin 65.4%  në tërësi të territorit, por kemi pasur zona që ujin pa të ardhura e kishin edhe 90% dhe sigurisht norma e ulët e arkëtimit ishte ajo çka e karakterizonte të gjithë sektorin deri në vitin 2020.

Po marr disa shembuj. Në rang vendi shkonte deri në 76%, po marr disa shembuj, siç ishte rasti i ujësjellës-kanalizimeve të Roskovecit që në arkëtimin korent arrinte vetëm në 39.65%, apo rasti i ujësjellës-kanalizimeve të Durrësit, me normë arkëtimi vetëm 53%. Ndërkohë, një tjetër fenomen që e ka shoqëruar të gjithë periudhën e tranzicionit në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve ka qenë faturimi afrofe i cili sigurisht bëhej pa asnjë lloj analize apo metodologjie dhe ishte një vendim që merrej pa asnjë analizë nga këshillat bashkiak sipas propozimit të kryetarit të bashkisë, pa analizuar këtu sasinë e investimeve, kostot e mirëmbajtjes apo gjithçka tjetër. Do të referoja këtu disa shembuj, siç është rasti i Libohovës. Libohova faturonte deri në vitin 2020,  97% të abonentëve me faturime afrofe apo Klosi 74%, apo Finiqi 66% të faturave afrofe.

Nga ana tjetër, mungesa e sistemeve të automatizuara dhe ato të sigurisë, sigurisht ka qenë një tjetër problematikë e identifikuar nga ne gjatë vitit 2020 dhe diçka tjetër, e cila do të marrë zgjidhje këtë vit, para përfundimit të vitit 2025, ka qenë mungesa e shërbimeve të unifikuara dhe të standardizuara. Pra, kemi tarifime, kemi shërbime, të cilat ofrohen në mënyra të ndryshme dhe tarifohen në mënyra të ndryshme nga një ndërmarrje në tjetrën, sidomos në pjesën e ndërmarrjeve në kohën kur ato ishin pjesë e pushtetit vendor.

Ndalojmë vetëm për një moment tek efiçenca e stafit. Kryeministri sapo e tha, por unë do të desha që të mos ndalja vetëm tek numri i munguar i kësaj efiçence, përsa i përket të gjithë territorit, por tek rastet konkrete për t'ju bërë të kuptoni se si ka funksionuar deri në 2020 sektori ujësjellës-kanalizimeve,  i atashuar si ndërmarrje e pushtetit vendor.

Në këtë vit që e kemi marrë si vit krahasues, numri i punonjësve për lidhje, për 1 mijë lidhje që është dhe ajo që ne përdorim, shkonte në 5.3 punonjës për një mijë lidhje në rang vendi, ndërkohë që në qoftë se do të merrnim rastin e Pustecit, që është një rast që ne e kemi përsëritur, arrinte deri në 13.4 punonjës për një mijë lidhje, duke pasur parasysh që në Pustec kishim vetëm 737 kontrata, më pak se një mijë lidhje. Në Malësinë e Madhe kishim një shkallë prej 13.3 punonjësish për një mijë lidhje dhe në Divjakë 12.2 punonjës për një mijë lidhje. E gjitha kjo sigurisht reflektohej, siç thamë, në një shërbim të dobët, por nga ana tjetër edhe padyshim në financa dhe bilance negative për secilën shoqëri.

Në vitin 2021 nisim një reformë të thellë, analizë, vlerësim të aseteve që ndodheshin në të gjitha këto 58 ndërmarrje, për të marrë një vendim dhe për të krijuar një agregrim prej 15 ndërmarrjes, të cilat sot kanë dhënë rezultate dhe ne e quajmë të përmbyllur fazën e parë të kësaj reforme të thellë.

Kemi parasysh që qëllimi dhe përmbajtja e fazës së parë të reformës, sigurisht është përmbyllur, por duke na vënë para një përgjegjësie të re e cila tashmë kërkon një reformim akoma më të thellë dhe ashtu siç Kryeministri e tha hapjen e fazës së dytë, e cila konsiston në krijimin e Operatorit të Prodhimit të Ujit në Republikën e Shqipërisë.

Duhet thënë që nuk është se do të shpikim rrotën. Në Republikën e Shqipërisë ne kemi një shembull shumë të mirë, që është sektori i energjisë elektrike, i cili u morr në të njëjtën gjendje në vitin 2013, me humbje që arrinin deri 50% dhe shpeshherë ne ato i quajmë humbje teknike, por nuk bëhej fjalë thjesht për humbje teknike, bëhej fjalë për vjedhje të energjisë elektrike dhe rrjet të amortizuar, shërbim që nuk ofrohej, fatura afrofe dhe gjithçka tjetër për të cilën ne jemi që të gjithë në dijeni të plotë. Pra, duke pasur shembullin e sektorit të energjisë elektrike dhe duke pasur parasysh avancimin që ka bërë ky sektor, jo vetëm me aksionin e madh për ligjshmërinë,  i cili u zhvillua në vitin 2015, por edhe për ndryshimin e thellë që pësoi në vitin 2019,  me ndarjen e shoqërive, si një kërkesë edhe e parimit të operimit të Bashkimit Europian, ne sot kemi një skemë të qartë të funksionimit të kompanive të cilat ofrojnë shërbimet jetike të vendit tonë, që duhet të aplikohet edhe në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve.

Për këtë arsye duke ulur në tryeza të gjëra, duke diskutuar si me drejtuesit rajonalë, duke diskutuar me të gjitha stafet të cilat kanë njohuritë e duhura brenda AKUK, por edhe më gjerë, e kemi arritur në rezultatin që krijimi i një Operatori të Prodhimit të Ujit, Operatori Kombëtar i Prodhimit të Ujit, do të na çonte në një nivel tjetër, pasi duhet kapur problematika nga thelbi.

Do të sjell një rast i cili na ka shqetësuar mjaftueshëm duke nisur nga janari i vitit 2025, e deri më sot për të thënë të drejtën, që ka të bëjë me një burim ujor në zonën e Tragjasit, i cili i parashikuar nga inxhinierët e AKUK duhet të jetë një nga burimet që duhet të furnizojë një pjesë të mirë të rivierës jugore ku kemi edhe një përqendrim të të gjitha njësive turistike të vendit, por që me të drejtën e tyre banorët e zonës e refuzojnë marrjen e këtyre sasive, volumeve të ujit, për të furnizuar zonën e Dhërmi-Palasës.

Kemi bërë biseda të gjëra me ta, kemi diskutuar dhe kemi vendosur që t'i bindim, por sigurisht duke krijuar një problem në operime, pasi jemi me vonesë 9 muaj sot që flasim, megjithatë e kemi marrë këtë vendim për t'i bërë pjesë banorët e të gjithë procesit, duke e monitoruar burimin e Tragjasit prej 9 muajsh në faza të ndryshme të vitit. Duke nisur nga dimri, më pas pranvera, vera dhe ja ku kemi hyrë në vjeshtë, dhe për t'i treguar atyre se edhe ai burim, që ata mendojnë se në qoftë se do të furnizohet dhe një pjesë e rivierës, do të ngeli fshati pa ujë, nuk është e vërtetë, pasi Shqipëria është e pasur në burime ujore, dhe ne aty kemi një kaptazh prej 1270 litra ujë në sekondë në përfundim të verës në një vit të thatë, siç është ky vit që po kalojmë ne, dhe ju duke qenë se jeni të fushës e dini shumë mirë se çfarë viti është 2025, është një nga vitet më të thatë që ne kemi pasur, i krahasueshëm me 2019.

E thënë kjo, ka ardhur momenti që ne të nisim menaxhimin ashtu siç kemi bërë me energjinë elektrike dhe me KESH-in duke nisur nga burimet të cilat Republika e Shqipërisë ka dhe duke ndarë njëherë e mirë përgjegjësinë midis prodhuesit, midis shpërndarësit dhe në të ardhmen dhe furnizuesit,  ai që faturon dhe arkëton. Por në fazën e dytë, ne do të qëndrojmë vetëm në ndarjen në dy komponentë, atë të prodhimit dhe atë të shpërndarjes, dhe për t'i vënë vetes një detyrë për fazën e tretë, që është faza që fillon në një janar 2027, ku do kemi më pas edhe ndarjen e shpërndarësit në kompaninë e shpërndarjes, ashtu siç është OSSH-ja sot, dhe kompaninë e furnizuesit, siç është FSHU-ja.

Thjesht për të dhënë disa të dhëna të rëndësishme, unë do ndalesha tek numri i të gjithë burimeve që ne kemi në Republikën e Shqipërisë. Aktualisht në të gjithë vendin ne kemi 1175 sisteme ujësjellësi që furnizohen nga 1602 burime me ujë të pijshëm, pa nevojën e trajtimeve shtesë që ndodhin vetëm në dy rezervuar, siç është ai i Bovillës dhe i Maskurisë, që janë burime ujore sipërfaqësore dhe që padyshim e kanë të detyrueshëm impiantin e trajtimit të ujit të pijshëm.

Nga 1602 burime natyrore, 584 janë burime malore, 1116 puse shpime dhe dy basene, ashtu siç thashë më parë. 1775  sistemet që ne menaxhojmë,  të burimeve ujore ndahen më pas në 589 sisteme pompimi dhe 584 sisteme gravitacionale. Ashtu siç ju e dini, ne e kemi përsëritur shpesh të gjitha ato zona, të cilat janë të furnizuara me sisteme pompimi, siç është rasti specifik i Durrësit, me katër sisteme pompimi, ato janë dhe ndërmarrjet, të cilat kanë kosto më të lartë të prodhimit të produktit, duke sjellë kështu edhe vështirësitë financiare që kanë këto ndërmarrje, duke qenë se asnjëherë nuk kemi pasur një ekuivalencë midis kostove të prodhimit të këtyre ndërmarrjeve dhe faturimit që ne bëjmë për qytetarët.

Struktura e Operatorit të Prodhimit të Ujit ose ndryshe i quajtur OPU, do të mbështetet mbi një organizim rajonal që pasqyron ndarjen hidrologjike, por edhe territoriale të territorit. Bëhet fjalë për një ndarje me katër rajone. E kemi këtë ndarje në disa nga njësitë që operojnë, siç është rasti i Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe kemi ndarë midis rajonit të Veriut dhe rajonit të Jugut, si dhe rajoni Qendër-Lindje dhe Qendër-Perëndim.

Krijimi i këtyre katër ndërmarrjeve rajonale të prodhimit të ujit, siç e përmendi edhe Kryeministri në fjalën e tij, sjell një optimizim akoma më të madh të aseteve tona, që janë burimet natyrore të ujit, por nga ana tjetër një optimizim më të madh edhe të fuqisë, pra të burimeve njerëzore, duke përdorur kështu kapacitetet që ne kemi për shembull, për Shkodrën edhe për zonat përreth apo kapacitetet që mund të kemi në Vlorë edhe për Gjirokastrën, duke qenë se janë pjesë e të njëjtës rajonale.

Operatori do të shërbejë si garantor i monitorimit teknik dhe laboratorik të të gjithë burimeve që futen në rrjetin e furnizimit, duke ndjekur një qasje inovative dhe të dixhitalizuar në të gjithë hapat dhe komponentët e këtij procesi. E them këtë, pasi sigurisht ne prej kohësh e kemi ngritur këto problematikë dhe pas nisjes së reformës, pas nisjes së agregimit, shumë masa janë marrë, për të gjitha ato zona ku ne kemi depozitat tona të shpërndarjes, zonat që i rrethon, po t'i shikoni të gjitha investimet e reja janë me rrethime moderne, janë të monitoruara me kamera 24 orë, por Operatori i Prodhimit të Ujit do të krijojë qendrën e tij të monitorimit për t'iu përgjigjur zhvillimeve teknologjike, duke arritur kështu një optimizim maksimal të proceseve dhe duke ulur numrin e angazhimit të personave në të gjitha këto procese.

Sigurisht nga ana tjetër, orientimi kryesor do të shkojë drejt efçiencës. Padyshim, unë e solla rastin e Tragjasës për të dhënë një shembull, sesi një zonë pa burime ujore natyrore, që është ajo e fillimit të rivierës së jugut. Ne kishim shumë shpresa që tuneli Llogarasë ndoshta do të reflektonte të njëjtën situatë si ai i Murrizit, ku burimet nëntokësore janë të konsiderueshme gjatë gjithë vitit, por nuk na ndodhi e njëjta dukuri. Në tunelin e Llogarasë, pavarësisht 6 kilometrave të gërmimit dhe në thellësi, ne nuk patëm mundësi që të zgjidhnim apo të gjenim burime ujore në atë zonë, por nga ana tjetër, na dha një mundësi që burimet natyrore ujore që ne kemi në zonën matanë Llogorasë, duke i kaluar përmes tunelit të furnizojmë edhe zona të cilat nuk kanë mjaftueshëm burime natyrore ujore. Por nga ana tjetër ka edhe një sërë procesesh të reja të cilat mund të përdoren në të ardhmen, apo siç janë edhe procese të filtrimit të ujërave të bardha që mund të përdoren për arsye vaditjeje apo për mirëmbajtje apo edhe përdorime tjera, siç janë pishinat etj.

Kryeministri e tha me shumë të drejtë uji i pijshëm është një mall me një vlerë të jashtëzakonshme dhe sigurisht nuk mund të jetë i disponueshëm as për lavazhe makinash edhe as për të mbushur pishinën. Kur ne i referohemi ujit të pijshëm, i referohemi detyrimit që shteti ka për t'i ofruar qytetarëve ujë 24 orë me cilësi sanitare të lartë për t'u përdorur për shërbimet e tyre.

Efektet e pritshme të kësaj ndërhyrje, pra të ndarjes së sektorit në dy ndërmarrje kryesore, dy komponentë të prodhimit dhe të shpërndarjes, së pari do të kemi një standardizim kombëtar të praktikave të prodhimit dhe trajtimit të ujit, duke sjellë barazi në cilësinë e këtij shërbimi në të gjithë vendin. Sot ne vazhdojmë dhe marrim si shembull Korçën dhe asnjëherë nuk e kemi përmendur sesa është tarifa e ujësjellësit të Korçës, pasi nuk do të donim për asnjë arsye që të krijohesh ai konfuzioni që zakonisht krijohet kur del raporti vjetor i Bankës Botërore, që lë gjithmonë atë shënimin që duhet rritur çmimi i ujit, sepse të gjithë dalin dhe thonë qeveria do rrisë çmimin e ujit, gjë që nuk është e vërtetë. Por ne e marrim Korçën si shembull, pasi do të donim që të standardizonim të gjithë ndërmarrjet e tjera, duke nisur nga këto katër rajonale të reja në të njëjtin standard si të ofrimit të volumeve të ujit, ashtu edhe të cilësisë së tij.

E dyta, do të sigurohet mbrojtje më e fortë për vetë burimet ujore, të cilat janë të keqpërdorura për të thënë të drejtën në shumicën e rasteve, me sisteme të monitorimit me kamera, sisteme alarmi dhe padyshim rrethime fizike. Nga ana tjetër, do të shënojë një përshpejtim të modernizimit teknologjik, i cili sigurisht nuk do të bëhej në 58 ndërmarrje bashkiake. Më i vështirë për t'u bërë në 15 ndërmarrje të agreguara, por shumë më i lehtë për t'u bërë në katër rajonale, të cilat do të menaxhohen nga një qendër e teknologjisë së lartë, që do të ketë katër komponentë kryesorë, që kanë të bëjnë me menaxhimin SCADA, ashtu siç ne sot bëjmë në energjinë elektrike, në sektorin e energjisë e elektrike, me Cyber Security që kur e themi, ndoshta mund të lindi pyetja: Çfarë ndodh me cyber security në sistemin e shpërndarjes apo të prodhimit të ujit? Sigurisht është më i nevojshëm nga të gjitha sistemet e tjera për të thënë të drejtën, pasi flasim për sigurinë e një produkti i cili shpërndahet në çdo shtëpi dhe duhet të ishte i kontrolluar nga burimi edhe deri në rubinet dhe kjo bëhet përmes gjithë fibrave optike, të cilat do të shoqërojnë të gjitha investimet prej këtej e tutje.

Sigurisht ne do të kemi edhe një njësi të dedikuar, e cila do të jetë pjesë e Operatorit të Prodhimit të Ujit që është një njësi e ngritur mbi kërkimin dhe teknologjinë. Është e lehtë në ditët e sotme me të gjithë marrëdhëniet ndërkombëtare që Republika e Shqipërisë ka, me të gjithë partnerët që ndodhen kudo në botë dhe ne kemi marrëdhënie shumë të mira dhe të frytshme për të marrë atë që quhet ndryshe ‘best practice’. Asgjë nuk duhet shpikur nga fillimi. Sot, vendet të cilat Zoti nuk i ka bekuar si Shqipëria me burime natyrore të rëndësishme arrijnë që të furnizojnë tregun e tyre 24 orë dhe të përdorin teknologji, të cilat ndoshta s'janë as të nevojshme për Shqipërinë sot, por duke pasur parasysh dhe duke e parë vendin nga një optikë tjetër. Nga optika e një vendi, i cili pesëfishon ose edhe më tepër rrit numrin e banorëve në një sezon, që tashmë nuk është qershor-gusht, por që fillon në fillim të majit dhe mbyllet në fund të tetorit dhe që ne synojmë që ta kthejmë Shqipërinë në një vend turistik 12 muaj. E gjitha kjo do ti jap mundësi, pra edhe me Departamentin e Kërkimit Teknologjik, brenda Operatorit të Prodhimit, do t'i jap mundësinë që të kemi zhvillime të herë pas hershme teknologjike, bazuar mbi praktikat më të mira ndërkombëtare me të gjithë ata partnerë që ne bashkëpunojmë.

Do ndaloja vetëm për një moment në kuadrin rregullator, që nuk do të jetë e nevojshme që të kemi ndryshime ligjore, pasi është e parashikuar në Ligjin për Menaxhimin e Sektorit, që ne të kemi mundësinë e krijimit të një Operatori për Prodhimin e Ujit, sigurisht në respektim të plotë të autonomisë vendore, ashtu siç i kemi pasur në krah partnerë të gjitha bashkitë në fazën e parë të këtij të kësaj reforme, duke qëndruar me 49% të aksioneve, në pjesën e Operatorit të Prodhimit sigurisht përqindja do të jetë shumë më e vogël, do të jetë një përqindje nominale nga 5 deri në 2%, thjesht në respekt të burimeve ujore që ndodhet në zona të këtyre bashkive, por duke i dhënë kështu një mundësi këtij Operatori për të pasur pavarësi përsa i përket investimeve dhe për performancën financiare, që faza e parë tregoi me fakte dhe me shifra, u shfaqën në ekran, unë nuk desha t'i përsërisja, pasi është mirë të flasim për planet tona të së ardhmes, jo thjesht për arritjet që kemi pasur deri tani.

Dhe e fundit, ashtu siç e thashë, në përmbyllje të ngritjes së këtij Operatori të ri i cili do të fillojë të operojë në janar të vitit 2026, ne do të nisim menjëherë nga puna për fazën e tretë e cila duhet të jetë operacionale në janar të vitit 2027, për të kthyer të 15 kompanitë, të cilat do të vazhdojnë operimet në mënyrë të njëjtë, pa i ndryshuar asgjë, pa u prekur. Këto kompani më pas do të bëjnë edhe ndarjen në dy nukla, njëra që do të merret me mirëmbajtjen, me investimet e rrjetit të shpërndarjes dhe tjetra që do të merret me pjesën e furnizimit, pra faturimit, hartimit dhe gjithçka tjetër, duke përmbyllur kështu një rrugëtim të gjatë, i cili sigurisht ka pasur momente të mira, ka pasur momente kritike. Sigurisht që ne vendosemi para sfidave të vazhdueshme, e diskutojmë shpesh rastin e Golemit, që është një zonë e investuar në mënyrë intensive, si përsa i përket shpërndarjes së ujit, ashtu edhe kanalizimeve, por nga ana tjetër kur është investuar në Golem, është investuar për 30 mijë banorë, ndërkohë që sot ka periudha piku që shkon deri në 300 mijë banorë, të cilët duhet të shërbehen. Sigurisht, këto janë lajme shumë të mira për turizmin, por nga ana tjetër janë shifra të rënda në supet e sektorit të ujësjellës kanalizimeve.

Ajo çk unë desha të thoja dhe që është padyshim një pjesë e rëndësishme, do të desha edhe një herë që të kujtonim dhe të kalonim me shifra sesi ka qenë situata.

Furnizimi me ujë të pijshëm 24 orë në vitin 2013 ishte vetëm në katër zona urbane të cilat i përmendëm, ndërkohë sot në vitin 2025 kemi 43 zona urbane të furnizuar me ujë 24 orë dhe kemi 13 kantiere në zona urbane, të cilat janë afër apo drejt përfundimit, duke e çuar këtë numër në 56 zona urbane me 24 orë ujë furnizim. Ndërkohë që në 2013 kishim zero zona rurale me furnizim 24 orë, sot kemi 98 zona rurale me furnizim 24 orë dhe nga ana tjetër kemi 45 kantiere të cilat janë duke u ndërtuar apo drejt përfundimit.

Gjithashtu ne na mbeten 16 zona dhe kur po bënim prezantimin, ajo strisha e fundit ishte 100% dhe unë kërkova që mos të shënonim 100%, sepse do të thonin është një premtim, por kërkova që të kishim shifrën e saktë edhe sa zona kanë mbetur deri në 31 dhjetor të 2030 dhe kemi edhe 16 zona urbane, për të përfunduar të gjithë këtë proces, padyshim të gjatë dhe shumë sfidues për ne, por që tashmë ka një shifër... kemi për hapur edhe 16 zona, që janë zonat e fundit dhe sigurisht ne themi zona urbane, por janë zona që nuk janë në qytetet qendrore, të cilat e përfundojnë dhe e çojnë në total numrin 72 zona urbane të përfunduara.

Kështu që këto janë shifrat që flasin vetë dhe unë uroj, që të gjithë së bashku, pasi këtu janë të gjithë aktorët e sektorit sot, duke nisur nga drejtuesit e shoqërive rajonale, të cilët kanë bërë një punë të mirë, sepse shifrat e tregojnë këtë edhe tek të gjithë strukturat e tjera që operojnë pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe AKUK-ut, që tashmë këto janë katër muaj të rëndësishëm që me 1 janar ne të jemi operativ me OPU.

Shumë faleminderit!/Versus.al

 

Poll