Kryeministri Edi Rama ka folur me superlativa për kryetarin e Komisionit të Prokurimeve Publike, Jonaid Myzyrin i cili është marrë i pandehur nga SPAK për shkelje të barazisë në tendera.
Rama tha se Myzyri është personalitet ndërkombëtar dhe puna që ka bërë ka sjellë që Shqipëria të jetë në vend të parë në rajon për prokurimet publike, madje shtoi se kishte skuadra që vinin nga vendet e tjera për të parë sesi vepronin institucionet tona në këtë fushë.
“Shqipëria në prokurimet publike është 1-shi në rajon. KPP ka marrë vlerësime nga më të ndryshme. Kryetari i komisionit të prokurimeve publike është personalitet ndërkombëtar në këtë fushë. Iu ngrit akuzë një javë përpara se të hynte në garë për t’u rizgjedhur. Po të shikosh shifrat e punës së komisionit dhe të agjencisë së prokurimeve publike që drejton kordinatorja tjetër, janë dy institucione të vlerësuara ndërkombëtarisht. Skuadra të prokurimeve publike të rajonit vijnë në Shqipëri për të parë këto 2 agjenci. Iu ngrit akuzë dhe u pengua fatkeqësisht të hynte në garë për t’u rizgjedhur. Një asset, mbaruar shkollën me medalje ari”- tha Rama.
Ndërsa shtoi më tej gjykimi i tenderave nuk është një punë e lehtë sepse nëse do të kishte qenë e tillë, do t’i ishte besuar ndonjërit prej deputetëve të cilët i konsideroi edhe injorantë.
“Nuk dua të hyj përse, por të gjykosh tenderat nuk është aq e thjeshtë. Se nuk do kishte nevojë as për ekspertë e komisione se këto gjykime mund t’i bënin deputetët. Mund të merrej një injorant nga Kuvendi dhe t’i thuhej bëje ti këtë punë. Ato janë aq komplekse sa nuk hyj ndonjëherë”- u shpreh Rama. Versus.al



