POLITIKË /

Propozimi i Shehajt për “tkurrjen” e RTSH ngjall kritika! Qori: Paturpësi! Sindikata: Shkeli vijën e kuqe të medias

Shumë prej politikanëve dhe analistëve e kanë kritikuar propozimin e Shehajt duke e komentuar si kërkesë të tij për mbylljen e televizionit publik.

Shkruar nga Versus
Propozimi i Shehajt për “tkurrjen” e RTSH ngjall kritika! Qori:
Fotomontazh: (Në sfond Agron Shehaj para godinës së RTSH), analisti Berat Buzhala, kreu i "Lëvizjes Bashkë" Arlind Qori dhe analisti Lutfi Dervishi

Kreu i partisë së re politike “Mundësia” ka bërë dje një deklaratë që ka sjellë reagime të ndryshme nga media dhe nga politikanë të ndryshëm.

Në kuadër të politikave për kursimin e shpenzimeve nga buxheti i shtetit, Shehaj mori si shembull Radio Televizionit publik Shqiptar (RTSH) me arsyetimin se 30 milionë euro nga taksat e qytetarëve shpenzohen për një televizion që nuk e shikon askush.

“Një televizion publik që nuk e shikon askush, nuk e ndjek askush, dhe nuk ka asnjë ndikim real,shpenzon 30 milionë euro në vit nga taksat tuaja. Vetëm një shembull nga shumë të tjerë. Kështu i kursej unë Shqipërisë 1 miliard euro në vit, duke ndalur abuzimin, jo shërbimin duke larguar parazitët, jo mësuesit e mjekët”, deklaroi Shehaj në një video të publikuar në rrjetin e tij social ditën e djeshme.

I menjëhershëm ishte reagimi i njërit prej krerëve të partive të reja politike, Arlind Qorit. Si drejtues i “Lëvizjes Bashkë”, Qori e cilësoi “paturpësi” dhe “shërbim ndaj oligarkëve” krahasimin që Shehaj bëri mes RTSH dhe një televizioni privat në vend.

“RTSH, si çdo institucion publik, mund dhe duhet kritikuar, sidomos për sa i përket anësisë politike. Mirëpo sot ajo mbetet e vetmja dritare televizive jokomerciale, ku qytetari mund të ndjekë muzikë klasike, një shfaqje teatrale apo një diskutim mbi kulturën.

Të marrësh për antipod e shembull Klanin, televizion tipik oligarkësh dhe një nga instrumentet kryesore të propagandës qeveritare,  është paturpësi, në mos shërbëtori e drejtpërdrejtë ndaj oligarkëve të televizioneve private. Detyrë e politikës është t'i shëndoshin institucionet publike, jo t'i shkulin me rrënjë. Sipas logjikës adhamudhiane - të dhemb syri, kreje - duhen mbyllur edhe spitalet publike, shkollat publike etj. Mund t'i marrin oligarkët me koncesion edhe këto. Lëvizja BASHKË ka një kapitull të veçantë të programit të saj për median, në të cilin formulohet edhe alternativa jonë për mbështetjen dhe shëndoshjen e Radio Televizionit Shqiptar”- shkruan Qori.

I ashpër ishte edhe reagimi i Sindikatës së RTSH që e cilësoi deklaratën e Shehajt si “kalim të vijës së kuqe”. Sa i takon krahasimit me një television privat, në reagim thuhet se televizioni publik udhëhiqet nga përfaqësimi i të gjithë kategorive në vend dhe jo nga komeracialiteti.

Më tej, sindikata i kërkon Agron Shehajt që të shprehet me ndjesë publike, ose përndryshe do të ketë dyshime se ka qëllime personale në sulmin e drejtuar ndaj RTSH.

Reagimi i plotë i Sindikatës së RTSH-së:

Agron Shehaj E SHKELI VIJËN E KUQE ME MEDIAN

SINDIKATA E RADIO TELEVIZIOINIT SHQIPTAR shpreh indinjatën për përdorimin politik e elektoral, të medias Publike, nga një prej kandidatëve në zgjedhjet Parlamentare. Propozimi i tij për të larguar nga puna me qindra punonjës, secili i vlerësuar në profesionin e vet, është kalimi i vijës së kuqe dhe cënim i Lirisë së Medias në Shqipëri.

Z. Agron Shehaj nuk mund ta çojë as në mend që të krahasojë median publike me atë private. Misioni i tyre është komerçial, ndërsa i RTSH Radio Televizioni Shqiptar udhëhiqet nga përfaqësimi i të gjitha kategorive sociale në vend.

Deklaratat e z. Agron Shehaj për nivelin e profesionalizmit të RTSh nuk mund të bëhen nga kafeneja apo zyra elektorale e partive.

Qëllimi i tij, dukshëm populizëm për të mbledhur vota nuk i shërben lirisë së medias.

Sindikata Rtsh kërkon reagimin e institucioneve ndërkombëtare dhe drejtpërdrejt OSCE Presence in Albania si organizmi që ka investuar në trajnimin e punonjësve të Radio Televizionit Shqiptar, U.S. Embassy Tirana , European Broadcasting Union – EBU dhe KQZ Shqiperi .

Kërkojmë tërheqjen e kandidatit z. Agron Shehaj nga deklaratat kërcënuese për 1046 punonjës të RTSh në të gjithë Shqipërinë, që nga punonjësi i mirëmbajtjes së antenave e deri te trupa e gazetarëve. Kërkojmë nga z. Agron Shehaj ndjesë publike, në rast të kundërt dyshojmë për qëllime personale të tij duke sulmuar RTSH. Deklaratë e përbashkët e qindra punonjësve!

Edhe analistë të tjerë e kanë kritikuar propozimin e Shehajt për mbylljen e RTSH. Mes tyre, Lufti Dervishi i cili shprehet se sot më shumë se kurrë duhet një TV që nuk ka qëllim klikimet.

“Sot më shumë se kurrë, ka nevojë për një ekran që nuk e mat suksesin me klikime, që nuk i shërben partive, por publikut, dhe që nuk e sheh shikuesin si konsumator meme-sh. Mbyllja është sport popullor, të gjithë e dinë si bëhet. Por ndërtimi i diçkaje që ngre nivelin kulturor e informues është një sport elitar; jo nga arroganca, por nga dëshira dhe etja për cilësi në një det meskiniteti e mediokriteti.

E keqja është gjithmonë më e shpejtë, më me zë, më me ngjyra, më virale, madje edhe më interesante po të duash. Por nuk është arsye për t’i dorëzuar flamurin”- shprehet ai ndër të tjera.

Një kritikë për Shehajn e pati edh eish-ministri i Financave Arben Malaj i cili e cilësoi kreun e partisë “Mundësia” si një fotokopje e keqe e Elon Musk sa i takon projektit “Doge” për gjetjen e mënyrave të kursimit të fondeve nga buxheti i shtetit.

“Në këtë video Agroni duket më i rendesishëm se Musk. Bile duket sikur Musk, projektin "DOGE" e paska kopjuar nga Agroni. Ose Agroni ja ka dërguar fshehurazi me kryeministren Meloni ose mentorin e saj Bannon, një vit përpara zgjedhjeve.  Video e tij promovuese është fotokopjo e keqe e projektit Trump që dështoj ta realizonte Musk. Turp - thirrja për mbylljen e RTSH. Televizion publik ka mision publik. Permiresimi mbetet prioritet. Mbyllja e RTSH nen mentalitete dhe perllogaritje  tregtare, tregon se sa shumë rrezikohemi ne dhe demokracia nqs do të sundohemi nga "lider" aritmetikorë”- shkruan Malaj në rrjetet e tij sociale.

Ndër të paktët që i doli në krah Shehajt ishte analisti Berat Buzhala i cili tha se deklarata e tij nuk ka pasur qëllim të propozojë mbylljen e RTSH, por shkurtimin e fondeve publike në administratë.

“Doli Agron Shehaj e tha RTSH’ne ne Shqipëri se sheh askush, as 1 përqind, por në RTSH punojne 1000 veta, që është dyfishi i atyre që punojne ne mediat kryesore private.  Agroni tha “nëse unë vije ne pushtet” kam me ia shkurtu buxhetin ne 5 milion ketij dinosauri arkaik, sepse i gjithe projekti eshte cdo gje perveç interes i publikut.  Është interes i pushtetit, por gjithashtu opozita e ngjyne kapak. Eshte streh e militanteve dhe ent punesimi.

Unë e dëgjova videon e Agronit, i cili kurrë nuk e ka permend në asnjë fjali mbylljen e RTSH’së, por shkurtimin e buxhetit, ama këta që e mbrojnë “interesin e Ramës dhe Berishës” m’falni interesin publik, e kanë dëgju ndryshe.  Madje shume prej tyre janë edhe mbështetës të Trumpit në Amerikë, i cili më 14 mars e mbylli Zërin e Amerikës.  Agroni ka premtu shkurtime kudo në sektorin publik, jo vec RTSH.

Qe një ilustrim: Në Shqiperi 7.7 perqind e banoreve punojnë në pune të shtetit, në Itali 5.3, ne Gjermani 5.5, ne Poloni 3.9, ne Kosove dhe Maqedoni 6. (Mos hyni me i kqyr vendet skandinave se kanë tjetër sistem).”- argumenton analisti mes të tjerash. Versus.al

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: