POLITIKË /

"PS përdori administratën në zgjedhje", OSBE nxjerr raportin për 11 majin: Vota e diasporës u menaxhua mirë

Sipas OSBE duhet të ndalohet përdorimi i institucioneve shtetërore për fushatë elektorale. Ndërsa theksohet se sistemi zgjedhor aktual favorizon vetëm 2 partitë e mëdha politike.

Shkruar nga Versus

"PS përdori administratën në zgjedhje", OSBE nxjerr

Prezenca e OSBE-ODHIR në Shqipëri ka publikuar sot raportin final të vëzhgimit të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit të cilat konfirmuan mandatin e 4-ët të socialistëve në pushtet me në krye Edi Ramën.

Mes gjetjeve ku përveç vëzhgimit në terren, merreshin si referencë raportimet e institucioneve zyrtare si KQZ, thuhet se zgjedhjet ishin konkurruese, por me një sërë shkeljesh proceduriale. Pavarësisht se theksohet menaxhimi i mirë i procesit të votimit për herë të parë nga diaspora, raporti i OSBE thekson përdorimin e administratës shtetërore gjatë fushatës zgjedhore duke krijuar avantazhe të padrejta për Partinë Socialiste.

“Në deklaratën e gjetjeve dhe përfundimeve paraprake të publikuar më 12 maj 2025, IEOM-i arriti në përfundimin se zgjedhjet “ishin konkurruese dhe u zhvilluan në mënyrë profesionale, por u mbajtën në një mjedis shumë të polarizuar dhe pjesëmarrësit nuk gëzonin kushte të barabarta. Megjithatë, kandidatët në përgjithësi patën mundësi të bënin fushatë lirshëm, ndonëse disa raportuan për raste frikësimi. Administrata zgjedhore e menaxhoi procesin në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente. Votimi jashtë vendit, i futur për herë të parë në këto zgjedhje, u menaxhua mirë, pavarësisht marrëveshjes së vonë politike dhe miratimit të kësaj mase, si dhe disa çështjeve organizative. Partia në pushtet përfitoi nga përdorimi i gjerë i burimeve administrative gjatë fushatës, duke krijuar një avantazh të padrejtë të pushtetit. Gjithashtu, pati numër të konsiderueshëm akuzash për presion mbi votuesit, veçanërisht mbi punonjësit publikë. Për më tepër, legjislacioni zgjedhor dhe interpretimi i ngushtë i tij nga administrata zgjedhore nuk penguan praktikat abuzive. Përqendrimi i pronësisë së mediave, që minon pluralizmin e burimeve të lajmeve, së bashku me vetëcensurën mes gazetarëve dhe dominimin e mbulimit mediatik nga dy partitë më të mëdha, kufizuan mundësinë e votuesve për të bërë një zgjedhje të informuar. Përdorimi aktiv i rrjeteve sociale online nga pjesëmarrësit amplifikoi gjuhën përçarëse, ndërsa asnjë autoritet nuk ishte caktuar për të zbuluar përmbajtje manipuluese të dëmshme. Mekanizmi i ri i bashkërendimit ndërinstitucional për hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve zgjedhore është një zhvillim pozitiv, por kërkohet ndjekje e mëtejshme për të adresuar shqetësimet e vazhdueshme për parregullsitë zgjedhore. Dita e zgjedhjeve ishte përgjithësisht e qetë dhe e organizuar mirë, por shpesh u vërejt mungesë respektimi i procedurave, dhe ajo u karakterizua nga disa incidente frikësimi dhe nxitjeje të votuesve, si dhe disa mangësi procedurale dhe transparence gjatë numërimit të votave.”- thuhet në raport.

Më tej theksohet se ka shumë rekomandime të OSBE që mbeten të paadresuara dhe se sistemi aktual zgjedhor favorizon vetëm dy partitë e mëdha, PS dhe PD.

“Korniza ligjore ofron një bazë të mjaftueshme për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike, pavarësisht nevojës për një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore me konsultime publike gjithëpërfshirëse. Mangësitë dhe paqartësitë e evidentuara ulin qartësinë e kornizës ligjore dhe krijojnë pasiguri në zbatimin e saj si në frymë, ashtu edhe në praktikë. Ndërsa disa nga rekomandimet e ODIHR-it janë adresuar, shumica e rekomandimeve të kahershme, përfshirë ato që lidhen me përbërjen e komisioneve zgjedhore të niveleve më të ulëta, raportimin e ndërmjetëm të financimit të fushatës dhe dispozitat për të siguruar një mjedis mediatik të përshtatshëm — përfshirë heqjen e përgjegjësisë penale për shpifje — mbeten të paadresuara, duke treguar mungesë vullneti politik për reforma gjithëpërfshirëse. Parlamenti zgjidhet përmes një sistemi zgjedhor të modifikuar që kombinon lista të mbyllura dhe preferenciale, i cili u fut përpara këtyre zgjedhjeve”- shtohet më tej në raport. Versus.al

Poll