Ndërsa zgjedhjet parlamentare të 11 majit kanë përfunduar, një tjetër aspekt i fushatës po tërheq vëmendjen e publikut dhe analistëve: shpenzimet për publicitet online. Sipas të dhënave të publikuara nga platforma e transparencës së Meta, partitë politike dhe kandidatët shqiptarë kanë shpenzuar në total 167,069 dollarë për reklamë në Facebook gjatë periudhës elektorale.
Në krye të listës qëndron Partia Demokratike, e cila ka investuar 43,873 dollarë, më shumë se çdo subjekt tjetër. Megjithatë, kjo fushatë dixhitale nuk u përkthye në një fitore elektorale për PD-në, e cila arriti të siguronte rreth 500 mijë vota, duke përfaqësuar vetëm 50 mandate në Parlament – një prej rezultateve më të dobëta në historinë e saj.
Ndërkohë, Agron Shehaj dhe partia e tij “Mundësia” renditen të dytët për nga shpenzimet me 39,014 dollarë, por pavarësisht investimit, partia arriti të marrë vetëm dy mandate.
Në listën e 10 më të shpenzuarve për reklamë online përfshihen edhe kandidatë të veçantë si:
• Grigels Muçollari me 13,811 dollarë, pa arritur të fitojë një vend në Kuvend,
• Jorida Tabaku, tashmë deputete, me 10,957 dollarë,
• Belind Këlliçi me 8,736 dollarë të investuara.
Nga radhët e Partisë Socialiste, edhe pse në përgjithësi më e përmbajtur në reklama dixhitale, dy kandidatë bien në sy:
• Vullnet Sinaj me 9,278 dollarë,
• Pëllumb Seferi me 9,086 dollarë. /Versus.al/







